Media franceze: Shqipëria surprizon vizitorët e huaj, nga bukuritë e Rivierës te çmimet e favorshme
-Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve evropianë, si një alternativë mesdhetare që ndërthur bukuritë e bregdetit me çmime më të përballueshme.
Një artikull i botuar në median franceze të udhëtimeve “Horticulture” sjell historinë e një familjeje franceze, e cila fillimisht kishte planifikuar të pushonte në Korsikë, por ndryshoi destinacion pas sugjerimit të vajzës së familjes për të udhëtuar në Shqipëri.
Sipas një artikullit, Korsika dukej fillimisht si zgjedhja e natyrshme për pushimet verore, falë diellit, detit të kristaltë, fshatrave piktoreskë dhe mundësisë për të përjetuar një ndryshim të mjedisit pa udhëtuar shumë larg.
Megjithatë, ideja për të vizituar Shqipërinë, e cila në fillim dukej e papritur, rezultoi më tërheqëse nga sa pritej, veçanërisht për sa i përket kostove.
Artikulli e përshkruan Shqipërinë si një destinacion që për një kohë të gjatë ka mbetur në hijen e fqinjëve të saj, Greqisë, Italisë dhe Kroacisë, por që tashmë po fiton gjithnjë e më shumë vend në hartën turistike të Mesdheut.
Sipas tij, Shqipëria ofron procedura të thjeshta udhëtimi, pasi qytetarët francezë nuk kanë nevojë për vizë, ndërsa numri i fluturimeve drejt vendit është në rritje.
Edhe infrastruktura bregdetare përmendet si një nga avantazhet që po e bëjnë vendin më tërheqës për turistët.
Në veçanti, artikulli veçon Rivierën Shqiptare, e cila shtrihet nga Vlora në Ksamil, përmes Sarandës, duke e krahasuar bukurinë e saj me peizazhet më tërheqëse të Mesdheut.
Ujërat bruz, gjiret e ndriçuara nga dielli, tarracat me hije dhe atmosfera e qetë përshkruhen si disa nga elementet që e dallojnë këtë pjesë të bregdetit, veçanërisht në kontrast me destinacionet turistike më të mbipopulluara.
Megjithatë, sipas artikullit, një nga surprizat kryesore për vizitorët janë çmimet.
Ndërsa në Korsikë dhe në Cote d’Azur tarifat gjatë sezonit të lartë mund të jenë shumë të shtrenjta, Shqipëria vazhdon të ofrojë hotele të rehatshme dhe akses të drejtpërdrejtë në plazh, me çmime dukshëm më të ulëta.
Artikulli thekson se në Durrës, Vlorë apo pranë Ksamilit, hotelet me katër yje mund të kushtojnë në disa raste më pak se një qëndrim në kamping në Francë, ndërsa për një familje, kursimi mund të arrijë në disa qindra euro.
Për të shijuar sa më mirë Shqipërinë, artikulli këshillon gjithashtu, që turistët të shmangin turizmin e nxituar dhe përpjekjen për të vizituar sa më shumë vende në një kohë të shkurtër.
Në vend të kësaj, sugjerohet të zgjidhen një ose dy baza dhe të qëndrohet në to gjatë pushimeve.
Vlora përmendet si një pikë që ofron akses të lehtë në një pjesë të bregdetit të ruajtur, ndërsa Saranda dhe Ksamili vlerësohen për ujërat e tyre të kristalta dhe atmosferën që favorizon shëtitjet dhe pushimin.
Përvojën e plotësojnë edhe restorantet lokale, ku ofrohen peshk i pjekur në skarë, perime të tregut dhe djathëra artizanalë.
Sipas artikullit, edhe në këtë drejtim shpenzimet mbeten shpesh të arsyeshme dhe nuk rëndojnë ndjeshëm mbi buxhetin e vizitorëve.
Megjithatë, artikulli nënvizon se para rezervimit duhen marrë disa masa paraprake.
Ndër to përmenden kontrolli i distancës reale mes hotelit dhe plazhit, verifikimi i mundësisë së parkimit në rast se merret një makinë me qira dhe leximi i vlerësimeve, me qëllim shmangien e surprizave të pakëndshme.
Pasi këto detaje të jenë verifikuar, sipas artikullit, qëndrimi në Shqipëri mund të shndërrohet në një pushim të qetë nën diell, pa stres dhe pa nevojën për të llogaritur vazhdimisht shpenzimet.
Artikulli pranon se Korsika vazhdon të ketë një hijeshi të veçantë, me peizazhe madhështore dhe një atmosferë unike.
Megjithatë, për familjet dhe turistët që kërkojnë të ndërthurin një destinacion ndryshe me një buxhet të kontrolluar, Shqipëria paraqitet si një alternativë e besueshme dhe tërheqëse.
Sipas artikullit, në Shqipëri vizitorët mund t’i lejojnë vetes qëndrimin në një hotel përballë detit, pa qenë nevoja të heqin dorë nga daljet në restorante apo ekskursionet.
Në fund, artikulli e lidh zbulimin e Shqipërisë me një sugjerim të thjeshtë të bërë gjatë një bisede familjare.
Një ide që fillimisht dukej e papritur, rezultoi në zbulimin e një vendi mesdhetar ku bukuria e bregdetit shoqërohet me mundësinë për të kursyer në shpenzimet e pushimeve.
Pikërisht për këtë arsye, artikulli e paraqet Shqipërinë si një nga surprizat e bukura të verës dhe si një destinacion që mund të vazhdojë të tërheqë vizitorë edhe në vitet e ardhshme. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.