Media: Ka kushte për vizitën e Nikoliçit në Kroaci
Serbia duhet të zgjidhë të paktën një prej problemeve ende të hapura me Kroacinë, si ai i personave të zhdukur apo i së drejtës së pronës së qytetarëve kroatë, përpara se presidenti serb, Tomislav Nikoliç të mund të zhvillojë një vizitë zyrtare në Zagreb, i thanë burime të presidencës kroate gazetës së përditshme serbe ”Blic”.
Sipas tyre, kushtet që presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç vë për një takim në Zagreb me homologun e saj serb Nikoliç janë zgjidhja e problemit të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1991-1995, zgjidhja e çështjeve pronësore, të thesareve artistike dhe arkivore si edhe e mosmarrëveshjeve të kufirit përgjatë Danubit.
Pak ditë më parë gazeta e përditshme kroate ”Jutarnji List” shkruajti se programi i takimit mes dy presidentëve ishte shtyrë pas kërkesës së Nikoliçit drejtuar papa Françeskut për të bllokuar kanonizimin e kardinalit kontrovers kroat, Alojzije Stepinac, i akuzuar nga serbët se kishte mbështetur regjimin fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore.