Merkel planifikon takim me Trump, tri çështje ‘të nxehta’ në tavolinë
E përditshmja gjermane “Bild”, thekson se udhëtimi i Merkelit në Shtetet e Bashkuara vjen gjithashtu pak ditë para 12 majit, afati i vendosur nga presidenti Trump për ndryshimin e marrëveshjes me Iranin, për të frenuar programin e tij bërthamor.
Gjithashtu, në vizitë nuk mund të mbeten pas dore as diskutimet për çështjen e Rusisë, marrëdhëniet e të cilës me Perëndimin, janë më të tendosura se kurrë, ndonëse vetë zyra e kancelares Merkel, nuk ka preferuar të bëjë të ditura detaje nga takimi i programuar.
Marrëdhëniet e kancelares me shefin e Shtëpisë së Bardhë zbritën në një nivel minimal pas zgjedhjes së tij në nëntor të 2016-s. Përpara bisedës telefonike, më 1 mars, ku u diskutua për Sirinë dhe Rusinë, dy liderët kishin ngrirë kontaktet mes tyre për më shumë se 5 muaj. Siç duket, zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare i kanë detyruar të rishikojnë strategjitë e tyre.