Merz kërkon progres në dialogun Kosovë-Serbi dhe refuzim të glorifikimit të kriminelëve të luftës
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka kërkuar përgjegjësi dhe progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se retorika përçarëse, gjuha e urrejtjes dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për rajonin.
Në fjalën hyrëse të samitit të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, Merz ka thënë se pajtimi dhe respektimi i vlerave evropiane janë të rëndësishme për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në Serbi, varrimi i kriminelit të luftës, Ratko Mlladiqit, u shoqërua me reagime dhe shenja glorifikimi, ku pjesëmarrës të ceremonisë e cilësuan atë si hero, pavarësisht dënimit për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte.
Ndërkohë, dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë i bllokuar. Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, e arritur në vitin 2023, synon avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, por zbatimi i detyrimeve të dakorduara ende nuk ka gjetur zbatim. Institucionet në Kosovë e akuzojnë Serbinë se qëndroi prapa sulmit terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në sulm u përfshi një grup i armatosur serb, ndërsa Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, pranoi se kishte organizuar dhe marrë pjesë në sulm.
“Retorika përçarëse ose polarizimi në rritje nuk të çojnë drejt një Evrope më prosperuese dhe historia nuk do ta shohë më mirë këtë shoqëri në këto kohëra komplekse. Në vitin 2018, Procesi i Berlinit refuzoi dhe hodhi poshtë përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk mund t’i hedhim benzinë asaj flake, por duhet t’i përmbahemi bazës evropiane. Kjo bën fjalë edhe për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Inkurajojmë përgjegjësi dhe progres në këtë drejtim”, tha ai.
Kancelari gjerman ka folur edhe për protestat në rajon dhe në vendet e tjera, duke theksuar se ato përcjellin mesazhin për nevojën e vazhdimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe sigurimit që qytetarët të përfitojnë konkretisht nga ai.
Merz ka theksuar se dhuna nuk duhet të jetë opsion, pavarësisht palës nga e cila vjen.
“Po i shohim të gjitha protestat në të gjithë rajonin dhe përtej rajonit, si dhe në vendet tona. Këto protesta na japin një mesazh se duhet të vazhdojmë me procesin e zgjerimit dhe duhet të sigurohemi që qytetarët të përfitojnë nga ai. Më lejoni të jem i sinqertë në dy aspekte. I pari: kur ballafaqohemi me protesta në BE dhe këtu në rajon, dhuna asnjëherë nuk duhet të jetë opsion nga asnjëra palë”, deklaroi Merz.
Ai, para liderëve të rajonit, ka nënvizuar gjithashtu se reformat duhet të nisin brenda vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se bashkëpunimi ekonomik dhe pajtimi janë ndër synimet themelore të Procesit të Berlinit.
Merz ka përmendur edhe përparimin e arritur gjatë 12 vjetëve të Procesit të Berlinit në fushën e lëvizjes së lirë, investimeve, turizmit dhe shërbimeve digjitale, duke vënë në pah rëndësinë e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal.
“Ndryshimi duhet të vijë brenda vendit dhe brenda rajonit. Kjo është një prej ideve themelore të Procesit të Berlinit kur është krijuar. Shtytja e Ballkanit Perëndimor në tryezë, për të krijuar reforma brenda vendit dhe për të nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe pajtimin. Ju do të jeni të suksesshëm vetëm kur bëni punën së bashku”, tha ai.
Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të mbështetur integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor./kp/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.