Meta-Ahlin: Forcim i marrëdhënieve me Suedinë, mbështetje axhendës europiane
Pas vizitës në Prishtinë, kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin po viziton sot Tiranën me ftesë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Pas takimit në kryesinë e Kuvendit, në prononcimin e përbashkët për shtyp, kryeparlamentari suedez u shpreh se Suedia do të jetë në mbështetje të plotë të Shqipërisë në avancimin e axhendës së saj europiane, ndërsa vuri në dukje përparimet e bëra gjatë këtyre 20 viteve në vendin tonë.
Kryetari Meta duke shprehur angazhimin për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, vlerësoi mbështetjen e Suedisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa u shpreh se investimet suedeze janë të mirëpritura në vendin tonë.
“Shpreh mirënjohjen e thellë në emër të Kuvendit për mbështjetjen e pakursyer që Suedia i ka dhënë integrimit europian të Shqipërisë, gjë që u provua dhe me qëndrimin mjaft të vendosur dhe solid që ajo mbajti kur u diskutua statusi i vendit kandidat në BE. Suedia vazhdon t’i qëndrojë në krah Shqipërisë dhe vendeve të rajonit në avancimin e axhendës sonë të përbashkët europiane”, u shpreh Meta për gazetarët.
Gjatë takimit kreu i Kuvendit e njohu zyrtarin e lartë suedez me angazhimin e qeverisë shqiptare në përmbushjen e pesë prioriteteve të BE-së, si dhe në avancimin e reformave, për të forcuar zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe sidomos për të realizuar reformën kyçe në drejtësi, ku veçoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Një falenderim të veçantë Meta shprehu për mbështetjen që pala suedeze ka ofruar në realizimin e reformës së re territoriale, ndërsa theksoi nevojën e bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve.
Duke vlerësuar Suedinë si një model të shkëlqyer të funksionimit demokratik dhe transparent të institucioneve Meta nënvizoi rëndësinë e marrjes së përvojës në këtë drejtim, ndërsa veçoi projektet zhvillimore me të cilat pala suedeze ka kontribuar në vendin tonë.
Në këtë kuadër, kryeparlamentari u shpreh se investimet suedeze janë të mirëpritura në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera të rajonit tonë.
Kryetari i parlamentit të Suedisë, Ahlin, në fillim të fjalës së tij tha se kontaktin e parë me Shqipërinë e kishte pasur në fillim të viteve ’90, ku si një politikan i ri kishte mbetur i shokuar nga politika rrënuese e ndjekur nga Enver Hoxha.
“Personi me të cilin i bëra udhëtimet në atë kohë në vendin tuaj ishte Ilir Meta dhe pas 20 vitesh ne sot jemi të dy kryetarë parlamentesh. Për mua është kënaqësi shumë e madhe që shoh kaq ndryshime në Shqipëri. Kam shumë kënaqësi që shqiptarët kanë përfituar nga liberalizimi i vizave dhe mund të udhëtojnë në vendet e zonës Shengen, po ashtu kam kënaqësi të shoh që Shqipëria është sot anëtare me të drejta të plota e NATO-s, ndërsa vitin e kaluar mori statusin e vendit kandidat në BE”, tha Ahlin.
Pavarësisht ngjyrave të partive politike, tha ai, në Shqipëri është bërë një punë shumë e madhe për të arritur deri këtu dhe të jeni të sigurtë që do të keni mbështetjen e Suedisë në progresin tuaja.
“Suedia është shumë e kënaqur për rolin konstruktiv që Shqipëria luan në rajonin e Ballkanit. Suedia po ashtu është shumë e interesuar për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe do të vazhdojë të ecë në këtë rrugë. Ne nuk jemi pjesë e vendeve skeptike, pasi zgjerimi i BE-së për ne është një pasuri për Europën. Ne nuk kemi kufizime për këtë dhe duam vërtet ta shohim Europën të zgjeruar, por anëtarësimi nuk vjen lehtë, pasi duhen përmbushur kushtet. Sa më shumë e mbështesim anëtarësimin e vendeve në BE aq më shumë kërkojmë plotësimin e kritereve për anëtarësim”, nënvizoi kryeparlamentari suedez gjatë prononcimit për shtyp me homologun Meta.
Gjatë qëndrimit në Tiranë Urban Ahlin do të takohet dhe me Presidentin Bujar Nishani dhe kryeministrin Edi Rama.