Meta: Ja pse Ramës i duhen edhe 100 vite që pensionistët shqiptarë të arrijnë nivelin mesatar të BE-së
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ironizuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke e lidhur këtë proces me nivelin e pensioneve në vend.
Meta ka sjellë si shembull diferencën mes pensioneve të shqiptarëve që jetojnë në Velipojë dhe atyre në Ulqin apo Tuz, duke pretenduar se një pensionist në Velipojë merr aktualisht tre herë më pak se një pensionist në këto dy qytete.
Sipas tij, me ritmet aktuale të rritjes së pensioneve, një pensionisti në Shqipëri do t’i duheshin edhe 100 vite për të arritur pensionin mesatar të Bashkimit Europian, nëse ky i fundit do të mbetej i pandryshuar.
“Është vërtet për të ardhur keq, që Edi Rama qenka “lodhur” kaq shumë, për ta afruar Shqipërinë me Bashkimin Europian, si kurrë ndonjëherë!
Për ta kuptuar edhe analfabeti më funksional se sa e madhe është kjo “lodhje”, mjafton një krahasim që flet më shumë se gjithçka tjetër.
Një pensionist shqiptar në Velipojë (në të majtën e lumit Buna) merr sot 3 herë më pak pension se një pensionist shqiptar në Ulqin ose Tuz (në të djathtë të lumit Buna).
Me ritmin e rritjes së pensioneve, që po ofron Edi Rama, një pensionisti në anën tonë të Bunës do t’i duhen edhe 100 vite të tjera jetë për të arritur pensionin mesatar të Bashkimit Europian, sikur nga sot pensionet në BE të ngrijnë përgjithmonë.
Ndërsa një pensionisti shqiptar në Ulqin apo Tuz do t’i duheshin vetëm 14 vite për të arritur nivelin e pensionit mesatar në BE.
Pra, mjafton të shohësh dy anët e Bunës për të kuptuar se sa larg është Shqipëria nga Europa dhe se sa e ka ngushtuar Edi Rama diferencën në standarde me Europën.
Urojmë që Diella, në bashkëpunim me Gjonin, do të arrijnë të prodhojnë një medikament të ri që t’ua zgjasë jetën edhe 200 vite të gjithë pensionistëve shqiptarë, sidomos atyre që ende besojnë te ëndrra europiane që u ofron Edi Rama.”- shkruan Meta në Facebook.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.