MILANO- Vijojnë përplasjet, Meloni thërret mbledhjen për sigurinë
– Përplasjet dhe aktet e dhunës urbane janë rikthyer në qendër të Milanos, më pak se 24 orë pas trazirave të një dite më parë, me thyerje të vitrinave, grabitje të dyqaneve dhe supermarketeve.
Sipas mediave italiane, të rinj të shumtë, kryesisht të veshur me të zeza, me bluza me kapuç, ishin organizuar përmes rrjeteve sociale dhe ishin mbledhur sërish në zonën e Piazza Duomo.
Që në orët e para të pasdites, rreth 50 të rinj u shoqëruan në komisariat për t’u identifikuar, në përpjekje për të parandaluar përsëritjen e akteve të dhunës. Megjithatë, masat nuk arritën të ndalonin përshkallëzimin e situatës.
Në rrugën Torino, grupe të rinjsh hodhën karrige, tavolina dhe barriera drejt vitrinave të dyqaneve Foot Locker dhe Champions, si dhe të një supermarketi Carrefour, ku hynë dhe kryen grabitje.
Sulme dhe grabitje u raportuan gjithashtu në dyqanet Under Armour, pranë zonës Cordusio, dhe Levi’s, ku të rinjtë thyen vitrinën duke përdorur timonin e një skuteri elektrik. Aktet e dhunës prekën edhe dyqanin Decathlon, si dhe biznese e lokale përgjatë Corso Garibaldi.
Sipas raportimeve, sulmet u kryen në mënyrë të shpejtë, me grupe që godisnin dyqanet dhe më pas largoheshin me shpejtësi. Gjatë përplasjeve, të rinjtë hodhën sende të ndryshme drejt forcave të rendit, të cilat iu përgjigjën me gaz lotsjellës dhe autobotë uji.
Vetëm gjatë trazirave të një dite më parë në Milano, sipas raportimeve, u përdorën 484 granata me gaz lotsjellës.
Për arsye sigurie, Galeria Vittorio Emanuele II u vu nën masa të rrepta kontrolli, ndërsa Katedralja e Milanos u mbyll më herët se zakonisht për vizitorët.
Ngjarjet kanë nxitur reagime në nivelin më të lartë politik në Itali. Kryeministrja Giorgia Meloni thirri një takim për rendin dhe sigurinë publike, pas trazirave jo vetëm në Milano, por edhe në qytete të tjera, përfshirë Torinon dhe Bolonjën.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, pati një përplasje të ashpër me ministrin e Brendshëm, Matteo Piantedosi, pasi kishte kritikuar numrin e vogël të efektivëve të policisë të angazhuar gjatë trazirave të një dite më parë. Në përgjigje, Piantedosi e cilësoi Salën si “radikal elegant”.
Konfederata e Tregtarëve Italianë, Confcommercio, ka vlerësuar se dëmet e shkaktuara nga trazirat në qytete të ndryshme italiane kanë kaluar gjysmë milioni euro.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.