“Shtëpizat e riciklimit”: ngrihet aktakuzë për vepra të rënda penale ndaj katër të arrestuarve, akuzohen edhe për organizatë kriminale
Prokuroria Europiane ngriti ndjekjen penale ndaj botuesit Janis Kurtakis, pronarëve të TEXAN-it dhe kreut të “Riciklimit shpërblyes”, ndërsa u bllokuan edhe llogaritë bankare dhe pasuritë e tyre
Ndjekje penale për vepra të rënda është ngritur, sipas informacioneve që publikon gazeta greke Efsyn, ndaj katër të arrestuarve për çështjen e “Shtëpizave të riciklimit”.
Bëhet fjalë për botuesin e “Parapolitika”, Janis Kurtakis, pronarët e kompanisë TEXAN, Apostolos dhe Panajotis Murgos, si dhe kryetarin e bordit të “Riciklimit shpërblyes”, Pavlos Ravanis.
Të katër të pandehurit përballen, sipas rastit, me akuzat për drejtim, formim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, për pastrim të të ardhurave nga veprimtari kriminale, për nxitje morale në shpërdorim detyre dhe për nxitje morale në mashtrim në dëm të interesave financiare të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, Prokuroria Europiane ka bllokuar llogaritë bankare dhe çdo lloj pasurie të katër të arrestuarve, të kompanive të përfshira dhe të personave të tjerë që po hetohen në kuadër të hetimit. Sipas Efsyn, kjo është një procedurë që zbatohet sistematikisht në çështjet e krimit ekonomik, për të kontrolluar rrugën e parave dhe për të verifikuar nëse ka indicie për vepra penale.
Brenda ditës pritet edhe leximi zyrtar i akuzave ndaj të arrestuarve. Nëse akuzat janë të karakterit të rëndë penal, dosja do t’i kalojë hetuesit europian, i cili e ka selinë në gjykatat e ish-Shkollës Evelpidon dhe do të marrë në dorë fazën tjetër të procedurës.
Zhvillimi vjen pak orë pasi katër të arrestuarit dolën para Prokurorisë Europiane, ku u ishte komunikuar edhe bllokimi i pasurive.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.