Ministri Hoxha takon homologun malazez: Ecim bashkë drejt rrugës europiane
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka pritur në Tiranë homologun e tij nga Mali i Zi, Ervin Ibrahimoviç sot në 19 maj.
Hoxha fillimisht i uroi mirëseardhjen homologut dhe tha se shpreson që të dyja shtetet, të bëhen sa më shpejt pjesë e Bashkimit Europian.
“Shqipëria e Mali i Zi kanë ndërtuar një model të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal. Sot bashkëpunojmë si vende mike, partnere, si dy vende në NATO. Duhet të analizojmë marrëveshjet që kemi nënshkruar, në interesin e të dyja vendeve tona. Në këtë kuadër, besoj se së afërmi duhet të realizojmë një takim ndërqeveritar. U dakordësuam se vëmendja jonë duhet që të fokusohet sidomos në projektet ndërkufitare. Projektet infrastrukturore në kufi janë tepër të rëndësishme. Pakicat kombëtare mbeten një urë e lidhjes sonë. Shqipëria vlerëson lart bashkëpunimin me Malin e Zi. Ne jemi të përkushtuar të ndërtojmë ura, jo vetëm mbi lumin Buna, por edhe ura bashkëpunimi. E ardhmja jonë evropiane ndërtohet duke shikuar përpara me vizion e largpamësi. Çdo sukses i Malit të Zi drejt rrugës evropiane ka vlerë për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Ashtu sikundër besoj se edhe rruga evropiane e Shqipërisë ka rëndësi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Hoxha.
Ibrahimoviç u shpreh se Mali i Zi synon që të bëhet pjesë e BE-së brenda vitit 2028.
“Mali i Zi ka bërë hapa përpara në integrimin në BE. Ne dëshirojmë që brenda vitit 2028 të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Mali i Zi mbështet tërësisht të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne sot theksuam bashkëpunimin tonë ekonomik, që të kemi më shumë kompani malazeze në Shqipëri dhe të bashkëpunojmë në tregti. Po ashtu, po bashkëpunojmë dhe për lëvizjen e mallrave e shërbimeve si dhe përmirësimin e infrastrukturës.
Mali i Zi e Shqipëria kanë bashkëpunim të shkëlqyer dhe vendimet që do të marrim janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e përbashkët. Ne jemi në rrugën e duhur. Ne e kuptojmë se siguria kibernetike është e rëndësishme dhe e shohim Shqipërinë si vend partner në këto çështje. Pakicat në shtetet tona përbëjnë dhe lidhjen mes dy vendeve. Ne në Malin e Zi respektojmë pakicat, duke respektuar parimet ndërkombëtare. Jam i bindur se jemi të palëkundur në vlerat që besojmë, në ato evropiane”, deklaroi Ibrahimoviç.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.