Ministria e Mjedisit gjobit Prishtinën me 10 mijë euro për mbeturinat, gjoba edhe për Istogun dhe kompanitë rajonale
Ministrja Fitore Pacolli njoftoi pas mbledhjes së Qeverisë se janë gjobitur edhe Komuna e Istogut dhe kompanitë "Pastrimi", "Ambienti" e "Higjiena", ndërsa paralajmëroi mbylljen urgjente të deponisë së Mirashit
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka gjobitur Komunën e Prishtinës me gjithsej 10 mijë euro për mospërmbushjen e obligimeve ligjore në menaxhimin e mbeturinave. Ministrja Fitore Pacolli, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, bëri të ditur se ndaj komunës janë shqiptuar dy gjoba nga 5 mijë euro, ndërsa ndërmarrja rajonale e mbeturinave “Pastrimi” është gjobitur me 2 mijë euro, siç njofton Telegrafi.
Sipas Pacollit, masa ndëshkuese janë shqiptuar ditët e fundit edhe ndaj Komunës së Istogut, e cila është gjobitur me 5 mijë euro, ndaj kompanisë rajonale “Ambienti” në Pejë, me dy gjoba prej 5 mijë dhe 2 mijë eurosh, si dhe ndaj kompanisë “Higjiena” në Deçan me 2 mijë euro. Gjoba janë shqiptuar edhe ndaj një numri qytetarëve që hedhin mbeturinat në vende ku nuk lejohet, ndërsa kontrollet në terren po bëhen edhe përmes dronëve dhe kamerave.
“Komuna e Prishtinës, përveçse po tregon mungesë vullneti për t’i kryer obligimet e saj, po e keqmenaxhon ndërmarrjen publike ‘Pastrimi'”, deklaroi Pacolli, duke shtuar se ministria ka ndërmarrë dhjetëra aksione inspektimi dhe ka shtuar mbikëqyrjen. “Për të mbrojtur shëndetin publik, nuk mund të rrimë duarkryq kur krijohen situata emergjente, edhe pse kompetencat tona në menaxhimin e mbeturinave janë të kufizuara”, tha ajo, duke i ftuar qytetarët t’i dërgojnë mbeturinat në deponitë e licencuara, të cilat janë të hapura çdo të shtunë.
Ministrja bëri të ditur se përmes programit për pastrimin e deponive ilegale, për të cilin janë ndarë një milion euro për kompanitë rajonale, janë larguar mbi 8 mijë tonë mbeturina. Ajo ngriti shqetësimin për gjendjen në deponinë e Mirashit, duke thënë se ekziston nevojë urgjente për mbylljen e saj për shkak të mbingarkesës dhe rrezikut ekologjik; pas mbylljes parashihet rehabilitimi i hapësirës dhe shndërrimi i saj në zonë të gjelbër dhe park mbrojtës.
Pacolli theksoi gjithashtu se gjendja me mbeturinat është më e rënduar në komunat veriore, ku është caktuar lokacioni për ndërtimin e një deponie të re, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Ndërkaq, caktimi i lokacionit për Qendrën e Menaxhimit të Mbeturinave në Lipjan u cilësua i domosdoshëm edhe për sigurimin e financimit prej 50 milionë eurosh nga qeveria gjermane.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.