Zbulohet skema që vidhte dronë nga njësitë ushtarake dhe ia shiste sërish ushtrisë si të rinj, 16 të dyshuar
Më shumë se 600 dronë u sekuestruan pas mbi 100 kontrollesh në nëntë rajone dhe në Kiev, ndërsa vlera e pronës ushtarake të vjedhur llogaritet rreth 16 milionë hrivna.
Organet ligjzbatuese në Ukrainë kanë zbuluar një skemë në shkallë të gjerë, pjesëmarrësit e së cilës, sipas hetimit, vidhnin dronë në njësitë ushtarake, u ndryshonin shenjat dhe ia shisnin sërish ushtrisë nën petkun e pajisjeve të reja, siç njofton Ukrinform. Lajmin e ka bërë të ditur në Facebook ushtruesi i detyrës së prokurorit të përgjithshëm, Anton Kovalsky, sipas të cilit janë 16 të dyshuar, janë konstatuar 25 episode dhe janë sekuestruar mbi 600 dronë.
Skemën, sipas hetimit, e organizoi një ish-ushtarak, ndërsa në të u përfshinë ushtarakë, ndërmjetës civilë dhe ndërmarrje tregtare. Pjesëmarrësit kërkonin ushtarakë të gatshëm të dorëzonin dronë në këmbim të parave dhe për këtë qëllim ishte krijuar edhe një kanal i veçantë në Telegram.
Pajisjet e vjedhura dërgoheshin në një punishte në rajonin e Dnipropetrovskut, ku fshiheshin numrat e fabrikës dhe ndryshoheshin shenjat e kodet QR. Më pas, përmes ndërmarrjeve nën kontrollin e grupit, të njëjtët dronë u furnizoheshin sërish ushtarakëve, por tashmë si pajisje të reja.
Për të përcaktuar shkallën e skemës u kryen mbi 100 kontrolle në nëntë rajone dhe në Kiev. Nga mbi 600 dronët e sekuestruar, më shumë se 200 janë identifikuar tashmë si pronë e njësive ushtarake, ndërsa origjina e të tjerëve po verifikohet. Vlera e pronës ushtarake të vjedhur është rreth 16 milionë hrivna. Gjatë kontrolleve u sekuestruan edhe 13 milionë hrivna, 400 mijë dollarë, ar, argjend, bizhuteri dhe 15 automjete.
Gjykata u ka caktuar të 16 të dyshuarve masën e paraburgimit, me mundësinë e lirimit me kusht, kundrejt garancisë. Çështjen po e hetojnë hetuesit e Byrosë Shtetërore të Hetimeve (DBR), njësitë e sigurisë së brendshme të Shërbimit Shtetëror të Kufirit dhe të Policisë Kombëtare, si dhe kundërzbulimi ushtarak i SBU-së. Hetimi po përqendrohet te origjina e pajisjeve të sekuestruara dhe te identifikimi i rrethit të plotë të pjesëmarrësve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.