Opozita shqiptare duartroket, por nuk kupton
Nga Altin Ketro
Le të supozojmë një skenar të tillë: Vuçiqi, me makinacione merrte 126 mandate, ndërkohë që e gjithë opozita serbe merrte 124. Organizatat që monitoronin zgjedhjet i shpallnin ato të manipuluara. Menjëherë studentët dhe gjithë populli opozitar ngriheshin në një kryengritje, duke e detyruar Vuçiqin të arratisej në Moskë.
Atëherë, po, ia vlente që edhe opozita shqiptare të frymëzohej nga ky shembull, duke gjetur argumentin, patjetër të drejtë, se për të rrëzuar autokratin Vuçiq në Serbi dhe “autokratin” Rama në Shqipëri, nuk ka rrugë tjetër përveçse me kryengritje a revolucion, quajeni si të doni.
Por nuk ndodhi ajo që hamendësova. Lista e Studentëve serbë (pa studentë brenda) fitoi pastër dhe bindshëm, aq sa edhe vetë Vuçiqi e pranoi rezultatin brenda dy orësh nga mbyllja e procesit të votimit.
Menjëherë në opozitën shqiptare plasi një hare e madhe, a thua se kishin fituar vetë. Në fakt, duhet të ishin të dëshpëruar. Dhe ka dy arsye.
Së pari, organizimi i studentëve serbë nuk kishte lidhje me partitë politike tradicionale. Ata nuk u bënë bisht i tyre, përkundrazi, arritën ta detyronin opozitën të tërhiqej mënjanë dhe t’u besonte atyre drejtimin e betejës politike me Vuçiqin. Njësoj sikur PD-ja, Shehaj, Lapaj e Qori të “shkriheshin” e t’u jepnin besim studentëve, që këta të paraqiteshin në zgjedhje përballë Ramës me një listë pedagogësh, artistësh, sportistësh e përfaqësuesish të profesioneve të tjera, por pa politikanë. A mund ta imagjinoni një gjë të tillë? Ku i dihet, mbase e eksperimentojnë në zgjedhjet vendore. Kështu, edhe po humbën, të paktën do të kenë një justifikim!
Së dyti, fitorja e studentëve serbë nuk është domosdoshmërisht një lajm i mirë për shqiptarët. Lista e tyre mban qëndrime të qarta kundër pavarësisë së Kosovës, kundërshton anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe kërkon rishikimin e marrëveshjeve të arritura nga Vuçiqi me Prishtinën. Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht me kundërshtarë të Vuçiqit, por me një forcë politike që për Kosovën mund të ndjekë një kurs edhe më të ashpër.
Në këto kushte, ngazëllimi i opozitës shqiptare do të ishte i kuptueshëm vetëm nëse ajo arrin të nxjerrë mësime nga mënyra se si u organizua Lista Studentore serbe, apo edhe nga përvoja e ish-opozitës hungareze që sot është në pushtet. Por kjo gjë kërkon më shumë sesa të duartrokasësh një fitore nga larg. Kërkon procese të brendshme reformuese, të dhimbshme, aq të dhimbshme sa kjo opozitë, në tërësinë e saj, nuk i ndërmerr dot kurrë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.