Përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së, Federica Mogherini dhe eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn pritet të vizitojnë Maqedoninë më 18 prill, një ditë pas shpalljes së raportprogresit nga Komisioni Europian, njoftoi dje kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.
“Në presim që kjo vizitë të ndodhë pas raportit të 17 prillit. Besoj se 18 dhe 19 prilli do të jenë datat kur do të zhvillohet vizita e tyre”, tha kryeministri Zaev pas një pyetjeje të gazetarëve në konferencën e përbashkët të shtypit me homologn e tij slloven, Miroslav Cerar.
I pyetur nëse pret një veto nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina pas dëbimit të fundit të diplomatit rus nga Shkupi dhe çështjes tajvaneze, Zaev deklaroi se nuk pret veto nga Moska dhe Pekini nëse arrihet marrëveshje me Greqinë për emrin dhe nëse ajo dërgohet para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
”Ne jemi miq me Kinën dhe Rusinë”, tha Zaev.
Kryeministri slloven, Cerar siguroi se ”tani është koha e duhur kur Maqedonia mund ta zgjidhë problemin me emrin”.