Monitorim intensiv në Dibër, 1867 gjoba dhe 3 të arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur
Policia Rrugore e Dibrës ka vijuar monitorimin intensiv të qarkullimit në të gjitha akset rrugore të qarkut, me dron, radar dhe makina inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës, siç njofton Policia e Shtetit.
Në fokus të kontrolleve kanë qenë parakalimet e gabuara, drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe shkelje të tjera që cenojnë sigurinë rrugore.
Si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të ushtruara gjatë periudhës 13–24 nëntor, janë arrestuar 3 shtetas për drejtim të automjetit në gjendje të dehur, ndërsa 2 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për drejtim të automjetit pa leje drejtimi.
Gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 1867 masa administrative: 365 për shpejtësi tej normave të lejuara, 298 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 241 për parakalime të gabuara, 154 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 65 për përdorim të celularit gjatë drejtimit, 39 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 35 për qarkullim me xhama të errësuar dhe 670 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Kontrollet dhe monitorimet vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut Dibër. Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.