MONTREAL – Von der Leyen këmbëngul në planin për anëtarësimin e asociuar të Kanadasë në BE
MONTREAL, 29 tetor /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi sot në Montreal, se do të vijojë të mbështesë idenë që Kanadaja të marrë statusin e anëtarit të asociuar të Bashkimit Evropian, pavarësisht kundërshtimeve nga disa vende, përfshirë Gjermaninë.
Në shtator, Von der Leyen i befasoi të gjithë kur propozoi që Kanadasë t’i jepej një status i tillë.
Ajo kishte planifikuar ta paraqiste zyrtarisht këtë ide në samitin BE-Kanada, i cili nisi sot në Montreal.
Megjithatë, sipas informacioneve nga diplomatë në Bruksel, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe disa drejtues të tjerë të vendeve të BE-së kërkuan që termat “anëtarësim i asociuar” dhe “anëtar i asociuar” të hiqeshin nga projektdeklarata përfundimtare e samitit.
Në samitin në Montreal pritet të marrin pjesë edhe kryeministri kanadez Mark Carney, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe disa komisionerë evropianë.
Vendet e BE-së janë përgjithësisht dakord që bashkëpunimi me Kanadanë duhet të forcohet.
Tensionet me administratën e presidentit amerikan Donald Trump po i afrojnë më shumë të dyja palët.
SHBA-ja ka vendosur disa herë tarifa doganore ndaj Kanadasë, ndërsa kjo e fundit është kundërpërgjigjur me tarifa ndaj produkteve amerikane.
Pa përmendur drejtpërdrejt asnjë shtet, Von der Leyen paralajmëroi për rrezikun e përdorimit të tregtisë, si mjet për të ushtruar presion ekonomik ndaj vendeve të tjera.
“Po shohim në kohë reale se si po sulmohet sovraniteti ynë”, deklaroi ajo.
Sipas presidentes së Komisionit Evropian, në vend që të izolohen dhe të mbështeten vetëm te forcat e tyre, shtetet duhet të bashkëpunojnë me partnerë të besueshëm.
Ajo shpjegoi se vendet kanë dy mundësi, ose të veprojnë të vetme, duke u përqendruar vetëm te interesat dhe fuqia e tyre ekonomike, ose të bashkëpunojnë në mënyrë strategjike me partnerë të besueshëm që përballen me sfida të ngjashme.
Sipas saj, bashkëpunimi me partnerë të besueshëm, mund t’i bëjë vendet më të sigurta dhe më pak të izoluara, ndërsa veprimi i secilit shtet më vete rrezikon të shtojë pasigurinë dhe izolimin. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.