“Mos hajde më në Shqipëri”- Avokati Idajet Beqiri: SPAK i dha mesazh ish-drejtoreshës së SHISH!
Juristi Idajet Beqiri, i ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, ka komentuar sot (25 shtator) mbi masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga detyra” të ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, të ekzekutuara mbrëmjen e së martës.
Beqiri tha se SPAK publikoi pjesë nga dosja e dërguar në gjykatë për marrjen e masës së sigurisë, ku sipas tyre rezultojnë mbi 300 komunikime, mesazhe dhe telefonata me Ergys Agasin, si dhe biseda të shkëmbyera mes tyre.
Por sipas juristit, ky nuk është thelbi i akuzës.
“Ky nuk është thelbi i akuzës, por sikurse quhet, dyshimi i arsyeshëm për të nisur hetimet. Dyshimi është se ka përkrahur një person në kërkim dhe ka përhapur sekrete shtetërore. Por nuk është dhënë asnjë informacion se çfarë materiali ka që i është dhënë, apo dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale”, tha avokati.
Beqiri shtoi se SPAK kishte mundësi të merrte masën e sigurisë ndaj Vlora Hysenit më herët, kur ajo ishte e pranishme në Shqipëri.
“SPAK kishte mundësi që ta merrte masën e sigurisë ndaj Vlora Hysenit në datën 18 shtator, kur e kishin të pranishme. Nuk kishte nevojë që ta merrnin pasi ajo kishte ikur”, theksoi ai.
Juristi e cilësoi veprimin e SPAK si një mesazh të qartë për ish-drejtoreshën e SHISH.
“Jo vetëm që nuk e bëri këtë, por kur ajo iku në Baku, ata nxorën masën e sigurisë. Kjo në thelbin e vet do të thotë që asaj iu dha mesazhi: Mos hajde më në Shqipëri”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.