”Mos, o zot, për Berishën kurrë më!”
Dialog i dy idhtarëve të PD-së

Muharrem Mumajesi dhe Hysen Alimemeti, të dy tiranas me degë e me rrënjë, iu bashkuan turmës qysh në mitingjet e para kundër komunistëve te konviktet e Universitetit. Atje ku flisnin Pashko, Azemi, Meksi, Berisha e të tjerë me radhë. Atje ku studentët u ngujuan në grevën e urisë. Meqë edhe shtëpitë i kishin afër, te lagjja pas maternitetit dhe afër rrugicës ku u vra Vojo Kushi, kafen e pinin përherë te çuni i Dalipit. Aty ia marrin muhabetit shtruar. E për çfarë nuk flasin?! Gjithmonë për shqetësimet e ditës. E, meqë jemi në prologun e zgjedhjeve për kryetarin e PD-së, edhe ata, si dy shokë të vjetër, njëri ekonomist e tjetri gjeometër pensionist, nuk mund të rrinë pa biseduar për atë ngjarje.
CENI: Ku e lamë dje bisedën, o Reme?
RREMA: Te zgjedhjet, te përjashtimi ose vetëpërjashtimi i Salijanit.
CENI: Po, po. E ku lë Berisha njeri t’i kundërvihet, o Rrem vëllai! Kjo ishte deri dje. Sot më ngjan se daktori kishte ndërruar mendje. Na bëri thirrje gjithëve që kush të dojë të shënojë emrin për t’u futur në garën për kryetar. A thua e ka me të vërtetë?!
RREMA: Dhe ti, lum miku, e beson se e ka me të vërtetë? Po të donte garë normale sipas rregullave të demokracisë, ai nuk do të villte aq vrer për Salijanin. Nuk kishte për ta përjashtuar apo vetëpërjashtuar. Nuk do të thoshte që është i shitur te i gjati.
CENI: Ke të drejtë. Zaten prandaj je me shkollë të lartë. I kupton disa lojna të politikës më mirë se unë.
RREMA: Kjo është e thjeshtë, vëlla. Edhe për zgjedhjet ai gënjen si gjithmonë. Nuk i skuqet fytyra pse asaj që tha dje i bie hasha sot. Si mund akoma të besosh që në PD do të bëhen zgjedhje të ndershme, kur, ti e di mirë, që gjithmonë Sala i ka nxjerrë rezultatet ashtu si ka dashur ai?
CENI: Po, po. Akoma nuk e kam harruar ç’më pate thënë për garën Basha-Selami. Ti e dijshe mirë se ishe në komisionin e numërimit të votave. I pe me sytë e tu si futeshin shuka-shuka fletët e votimit për Bashën. Nuk të erdhi mirë, po e qepe gojën se mund të përjashtoheshe edhe ti si shumë gjoja armiq të tjerë të partisë. Të gjithë kanë qenë dhjetoristë!
RREMA: Prandaj po të them se ai vetëm gënjen. Nuk e kuptoj pse akoma ka njerëz që i besojnë gënjeshtrat e shpifjet e tij. Madje e duan edhe për kryetar?!
CENI: E kuptoj, po ama nuk po shikoj njeri tjetër të na i mbushë mendjen se me të vërtetë është demokrat 100 për qind. Them 100 për qind, se Sala është shartim me kolerën komuniste, prandaj ka dalë shumë i mangët si demokrat dhe i shkëlqyeshëm si komunist.
RREMA: Ishte gabim shumë i madh, ishte fatkeqësi për Shqipërinë dhe për të gjithë ne kur e pranuam që në krye të herës për kryetar dhe i shkuam pas si manarë. Tani ec e hiqe zgjeben prej trupit?!
CENI: Vetëm me votë. Ajo e heq atë.
RREMA: Për çfarë vote flet ti, o Cen vëllai! Ai i mbush kutitë e votimit ashtu si do vetë. Edhe unë e ti po votuam kundër, ato fletë avullojnë dhe dy fletë të tjera fringo futen sikur ne kemi votuar për daktorin. A po më beson?
CENI: Po, si mos të besoj ty? Nuk është fjalë që thuhet kjo. Mirë, ja i fitoi “ndershmërisht” zgjedhjet, po ai, mor lal, është 83 vjeç. Kushedi sa herë çohet natën për të shkuar në qenef?! Nuk më duket edhe krejt esëll nga trutë.
Rrema qeshi dhe menjëherë e ngau shokun: Nuk e paskam ditë se paske fillu me u marrë edhe me mjekësi, o Cen?
CENI: Çfarë dreq mjekësie, o Rrem! Ai është duke nxjerrë nga goja mufka. Ne e dimë mirë se ku bëhen molotovët. I njohim dhe çunat që i flakërijnë kur tund flamurin daktori. Po ama pa pikë turpi thotë se ato i hedhin policët dhe gardistët?! Kësaj çfarë emri t’i vëmë?!
RREMA: Vetëm maskarallëk. Unë nuk gjej fjalë tjetër për atë njeri që po i thotë haptas të zezës të bardhë e të bardhës të zezë. Edhe po të hapësh fjalorët e kujtdo gjuhe dhe do të duash të dish mirë kuptimin e kryengritjes paqësore, në asnjë prej tyre nuk ke për të gjetur lajthitjen e radhës të kryetarit tonë që na fton për të rrëzuar regjimin (edhe pse ka marrë votën e popullit) “…me një kryengritje paqësore të armatosur.” Edhe bufi i kënetës e di se po krisi arma nuk bëhet fjalë më për kryengritje paqësore.
CENI: Ashtu është. Po pse drejtësia i ka mbyllur sytë dhe veshët për daktorin?
RREMA: Harrove se për 8 vjet ai ka qenë i pari i drejtësisë dhe ka shirë lëmë si ka dashur me emërime gjyqtarësh nga kursi i Plepave te Plazhi i Durrësit?
CENI: Nuk ka rrugëzgjidhje, më ngjan. A do të votoj unë më për PD-në e tij? Mos e dhëntë Zoti, kurrë më!
RREMA: Vota jote dhe e imja nuk e zgjidhin problemin, nuk e heqin kancerin që na ka zënë fytin. Po të ngrihen të gjithë demokratët në protesta masive që Sali Berisha të zbatojë statutin dhe të japë dorëheqje, se i humbi zgjedhjet e 11 majit, atëherë po them se ka për të lindur shpresa. Ajo më duket shumë e largët. Si një ditë me mjegull të dendur.
CENI: Mos fol më.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.