Mosmbledhja — Akt i turpshëm kapitullimi i kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë, organi më i lartë i pushtetit, sot kreu një akt të turpshëm kapitullimi. Përballë protestës së studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës dhe nga frika e saj, deputetët, ata që duhet të jenë zëri përfaqësues i vullnetit të popullit, nuk u mblodhën në seancë plenare, siç ishte planifikuar në kalendarin e punës së Kuvendit.
Në vend që të ushtronte funksionin e tij kushtetues dhe politik, të mblidhej dhe zhvillonte debatin parlamentar dhe të përballej me zërin e të rinjve në protestë, institucioni që duhet të jetë tempulli i demokracisë u tërhoq.
Ky nuk është thjesht anulim i një seance plenare. Është një akt me domethënie të thellë politike: kapitullimi i Kuvendit përballë protestës së studentëve!
Protesta ia doli të arrinte fitoren e parë të madhe: sot Kuvendi i Shqipërisë, duke mos u mbledhur nga frika, pranon se nuk ka humbur vetëm autoritetin moral për të kërkuar respekt nga qytetarët, por ka humbur edhe legjitimitetin për të qenë zëri përfaqësues i tyre.
Kësisoj, forca e kartonave, mbi të cilën mbështetet logjika e pushtetit, bëhet e pavlerë përballë forcës së zemërimit dhe revoltës qytetare.
Sepse kartonat mund të prodhojnë vendime, por nuk mund të imponojnë respekt; mund të dëshmojnë forcën numerike të pushtetit, por nuk mund të zëvendësojnë legjitimitetin politik.
Me aktin e vet të kapitullimit, Kuvendi i Shqipërisë, duke mos u mbledhur dhe duke lënë policinë përballë studentëve dhe gjimnazistëve, dëshmon jo vetëm frikën e pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar në çdo qelizë, por edhe se nuk ka kuptuar asgjë nga mesazhi i protestës: zemërimi qytetar është kundër Kryeministrit dhe pushtetit të tij.
Sa më shpejt që ta kuptojë Kryeministri se ky është një problem politik që kërkon zgjidhje politike, jo polici përballë qytetarëve, aq më mirë do të jetë edhe për atë vetë.
Historia dhe precedentët nuk duhen injoruar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.