MPB: 13 shkelje të rendit dhe qetësisë publike gjatë festimit të 28 Nëntorit
Gjatë festimit të 28 Nëntorit në Maqedoninë e Veriut u regjistruan 13 shkelje të rendit dhe qetësisë publike, njofton MPB-ja: tre persona u privuan nga liria, u ngritën dy kallëzime penale dhe u përpiluan 10 procesverbale për kundërvajtje.
13 shkelje të rendit dhe qetësisë publike janë regjistruar gjatë festimit të 28 Nëntorit në Shkup, Tetovë, Ohër dhe Kumanovë. Siç njofton Alsat, duke iu referuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, tre persona janë privuar nga liria, janë ngritur dy kallëzime penale dhe janë përpiluar 10 procesverbale për kundërvajtje.
Dy kallëzimet penale kanë të bëjnë me veprat penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik” dhe “përpunimi, mbajtja, ndërmjetësimi dhe tregtimi i palejuar i armëve ose lëndëve shpërthyese”. Në rajonin e SPB Shkup janë regjistruar shtatë shkelje, në zonat e Bit Pazarit dhe Gjorçe Petrovit: shtatë procesverbale për kundërvajtje ndaj katër personave, prej të cilave tri për heqjen, grisjen ose dëmtimin e simboleve shtetërore dhe simboleve të bashkësive etnike, një për zënka, britma ose sjellje të pahijshme, si dhe tri kundërvajtje nga fusha e sigurisë në komunikacion. Ndaj një fëmije është ngritur kallëzim penal për drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik, ndërsa gjatë zbardhjes së ngjarjeve dy persona janë privuar nga liria.
Në Tetovë, policia ka evidentuar përdorimin e mjeteve piroteknike nga fëmijët në sheshin e qytetit, si dhe vendosjen e flamurit shqiptar në një automjet policor, raste për të cilat po ndërmerren masa për dokumentim të plotë. Shkelje lidhur me vendosjen e flamujve të Shqipërisë janë regjistruar edhe në Kërçovë dhe Strugë; në Strugë, flamujt janë vendosur në një shkollë fillore pa u vendosur edhe flamuri i Maqedonisë, ndaj përgjegjësi i shkollës pritet të përballet me procedurë kundërvajtëse.
Në mesin e të ndaluarve është edhe një qytetar nga Kumanova, i cili dyshohet për armëmbajtje dhe tregti të palejuar me armë. Sipas MPB-së, gjatë defilimit me automjete në zonën qendrore të Kumanovës, zyrtarët policorë vërejtën dy persona, njëri prej të cilëve u arratis, ndërsa tjetri u ndalua; gjatë kontrollit ndaj tij u gjet një pistoletë e markës “Cërvena Zastava” dhe një karikator me pesë fishekë, ndaj ai u privua nga liria nën dyshimin për veprën penale të mbajtjes dhe tregtimit të palejuar të armëve.
Lidhur me heqjen apo përdhosjen e flamurit maqedonas në Gostivar kanë reaguar VMRO-DPMNE dhe LSDM: VMRO-DPMNE thekson se qëndrimet e tilla të individëve krijojnë vetëm përçarje dhe jo unitet, ndërsa LSDM akuzon pushtetin VMRO-ZNAM për ndarjet brenda shoqërisë. Të dyja partitë kërkojnë nga institucionet zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.