Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, 12 vite pritje për objektin e ri
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, që ndërtohet prej më shumë se një dekade, nuk mund të ndahet në dy ndërtime të veçanta, thotë ministri i Kulturës Sedat Sulejmani, sipas të cilit punimet pritet të përfundojnë brenda dy viteve, ndërsa Biblioteka, e gatshme mbi 80 për qind, mbetet viktimë e vonesave të Teatrit.
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, ndërtimi i të cilit ka nisur para 12 viteve, nuk mund të ndahet në ndërtime të veçanta për dy institucionet. Siç njofton Alsat, ministri i Kulturës Sedat Sulejmani tha se një ndarje e tillë është e pamundur si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë teknik.
Sulejmani tregoi se çështjen e ka biseduar edhe me kryeministrin, i cili ka shprehur dëshirën që pjesa e bibliotekës të ndahet si projekt më vete, meqë ajo është gati rreth 80 për qind, por një mundësi e tillë, sipas tij, nuk ekziston. Ai shtoi se punimet do të përshpejtohen dhe se, sipas dinamikës së parashikuar, objekti pritet të jetë gati brenda dy viteve.
Drejtori i Bibliotekës së Tetovës, Binas Pajaziti, tha për Alsat se mbi 80 për qind e punimeve të objektit të ri të institucionit që ai drejton janë gati, por biblioteka mbetet viktimë e vonesave në ndërtimin e objektit të ri të Teatrit. Sipas tij, nëse që në fillim tenderimi do të ishte bërë veçmas, biblioteka prej vitesh do të ishte vendosur në hapësirat e reja.
Pajaziti vuri në dukje edhe faktin se bartës i projektit është Pallati i Kulturës, ndaj as Teatri e as Biblioteka nuk kanë qasje në informacione apo në tenderim dhe nuk janë pjesë e ndonjë bordi mbikëqyrës; për këtë arsye ai ka kërkuar që me vendim të qeverisë pjesa e bibliotekës të ndahet nga ajo e teatrit. Ndërkohë, prej vitesh Biblioteka e Tetovës funksionon pa kushte elementare dhe pa sallë leximi, vështirësi që rëndohen tani që ajo është ngritur në bibliotekë universitare dhe duhet të shtojë numrin e titujve, përfshirë edhe ata shkencorë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.