Muhamet Mavraj, prijësi i protestave të 1 Tetorit 1997, fton qytetarët në marshin e 1 tetorit për çlirimtarët
Përmes një videoje, Mavraj tha se 1 tetori i '97-ës ishte dita më e madhe e unitetit shqiptar para luftës dhe ftoi të gjithë shqiptarët të mblidhen sërish.
Muhamet Mavraj, prijësi i protestave studentore të 1 Tetorit 1997, përmes një video-mesazhi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në marshin e 1 Tetorit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Gjykata Speciale.
Mavraj tha se 1 tetori i ’97-ës ishte dita më e madhe e unitetit të shqiptarëve para luftës, ndërsa ftoi që edhe më 1 tetor 2026 të bëhen bashkë të gjithë shqiptarët për çlirimtarët: “Me këtë 1 tetor në orën 16:00 në sheshin tonë për Bacën Pejtër, për Calin, për Bacën Jakup, Kadriun, Rexhën dhe kryestrategun e lirisë, Hashim Thaçin, të gjithë bashkë ‘Jo në emrin tonë’”.
Marshi organizohet nga iniciativa “Jo në emrin tim”, e cila proteston kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale me të cilin u dënuan ish-krerët e UÇK-së: 25 vjet burg për Thaçin dhe Krasniqin, 18 për Veselin dhe 13 për Selimin.
Mavraj ishte në krye të protestave studentore të 1 tetorit 1997, që shënojnë një nga momentet kyçe të rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës para luftës dhe të fillimit të ndryshimeve të mëdha në Kosovë.
Burimi: Klan Kosova



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.