Muharremi: Kosova duhet të fokusohet te Apeli – duhen fonde, avokatët më të mirë dhe diplomaci
Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se procesi i apelimit duhet të jetë fokusi kryesor i Kosovës pas aktgjykimit të 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Sipas tij, nga të gjitha format e reagimit, apelimi ka peshën më të madhe në mundësinë për ndryshimin e aktgjykimit, ndërsa iniciativat legjislative dhe protestat kanë ndikim më të kufizuar.
“Procesi i Apelimit mbetet mjeti kryesor dhe më i rëndësishëm për ndryshimin e aktgjykimit të 16 shtatorit nga Dhomat e Specializuara”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka bërë edhe një ndarje të përafërt të rëndësisë së veprimeve që, sipas tij, duhet të ndërmerren, duke thënë se pjesa më e madhe e energjisë dhe resurseve duhet të përqendrohet te mbrojtja juridike dhe diplomacia.
“Apeli përbën, nga 100%, rreth 90% të rëndësisë, andaj edhe fokusi dhe energjia duhet të përqendrohen aty”, ka deklaruar ai.
Muharremi ka argumentuar se ndryshimi i njëanshëm i procedurave të Dhomave të Specializuara është i vështirë, për shkak të mënyrës së themelimit të tyre dhe implikimeve kushtetuese të procesit.
“Fatkeqësisht, ashtu siç është themeluar Gjykata Speciale, vështirë është të ndryshohen njëanshëm procedurat dhe të modifikohet procesi. Për shkak se ky proces ka implikime kushtetuese, ndikimi i iniciativave legjislative mbetet i kufizuar”, ka shkruar ai.
Sipas Muharremit, prioritet duhet të jenë sigurimi i fondeve për mbrojtjen, angazhimi i avokatëve me përvojë ndërkombëtare dhe një diplomaci më aktive.
“Përgatitja për Apelim, fondet + diplomacia proaktive, mbeten mjetet kryesore. Na duhen shumë fonde dhe avokatët më të mirë në botë. Na duhet diplomaci proaktive”, ka theksuar ai.
Ai i ka cilësuar protestat si veprime të rëndësishme në aspektin e përkrahjes dhe solidaritetit, por ka thënë se ato nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e gjyqtarëve në Hagë.
Në ndarjen e tij të propozuar, Muharremi ka vlerësuar se 75 për qind e energjisë dhe resurseve duhet të orientohen te fondet dhe avokatët, 15 për qind te diplomacia proaktive, 7 për qind te protestat e përkrahjes dhe solidaritetit dhe 3 për qind te iniciativat ligjore në Kuvend.
Sipas tij, veprimet e ardhshme duhet të orientohen aty ku mundësia për ndikim në rezultatin e procesit është më e madhe.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.