Musliu e PDK-së: Përmirësimi i Ligjit për Specialen s’është tërheqje, por përgjegjësi
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se mbrojtja e UÇK-së nuk është çështje e një partie, por përgjegjësi kombëtare dhe shtetërore, duke theksuar se partia e saj është e gatshme ta përmirësojë ligjin pa hequr dorë nga qëllimi i saj.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas kthimit të Ligjit për Specialen në Kuvendin e Kosovës nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se mbrojtja e UÇK-së nuk është çështje e një partie, por përgjegjësi kombëtare dhe shtetërore, siç njofton Klan Kosova.
Musliu ka thënë se PDK-ja është e bindur se ka bërë më të mirën e mundshme. “Pas kritikave të shprehura nga ekspertë të ndryshëm dhe propozimit të organizatorit të protestave që Presidentja ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim, PDK-ja, e bindur që ka bërë më të mirën e mundshme, ka ndërmarrë sot këtë hap zyrtarisht, me përgjegjësi dhe vendosmëri. Ne dëgjojmë argumentet, i marrim parasysh vërejtjet dhe jemi të gatshëm ta përmirësojmë ligjin, pa hequr dorë nga qëllimi ynë: forcimi i sigurisë juridike dhe garantimi i të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, përmirësimi i ligjit nuk është tërheqje, por përgjegjësi. “Angazhimi ynë vazhdon deri në hyrjen e tij në fuqi. Paralelisht, do të vazhdojmë angazhimin për mbështetjen profesionale dhe financiare të mbrojtjes së çlirimtarëve tanë në Hagë. UÇK-ja është historia jonë e lirisë, ndërsa mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare është zotim që nuk negociohet. Nuk do t’i lëmë vetëm. As sot, as nesër!”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Presidentja Shiroka-Pula e ktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend të enjten, pas kërkesës zyrtare të Grupit Parlamentar të PDK-së, si sponsorizuese e tij, për shqyrtimin e dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.