Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare piktori i njohur britanik, David Hockney
Piktori i njohur britanik, David Hockney, një nga figurat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesit e artistit, të cilët njoftuan se Hockney u shua paqësisht në shtëpinë e tij më 11 qershor 2026, vetëm një muaj para se të mbushte 89 vjeç.
I konsideruar si një nga artistët më me ndikim të shekujve XX dhe XXI, Hockney u bë i famshëm në vitet ’60 si një nga përfaqësuesit kryesorë të artit pop britanik. Ai u njoh veçanërisht për pikturat e tij me pishina, si “A Bigger Splash” dhe “Portrait of an Artist (Pool With Two Figures)”, vepra që u kthyen në simbole të stilit artistik të Los Anxhelosit.
Karriera e tij, e shtrirë në më shumë se gjashtë dekada, u karakterizua nga eksperimentimi i vazhdueshëm me forma dhe teknika të reja. Përveç pikturës tradicionale, Hockney punoi me kolazhe fotografike, peizazhe abstrakte dhe më vonë eksploroi mundësitë që ofronin teknologjitë digjitale dhe arti tredimensional.
Në një deklaratë zyrtare, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij vlerësuan trashëgiminë që ai lë pas.
“David Hockney ishte një nga figurat më të rëndësishme të artit bashkëkohor. Trashëgimia e tij pasqyron dashurinë për jetën, humorin e veçantë, bujarinë dhe kureshtjen e pashtershme që e shoqëroi gjatë gjithë jetës”, thuhet në reagim.
Homazhe për artistin erdhën menjëherë nga bota e artit dhe politika. Kryeministri britanik e cilësoi Hockneyn si një nga artistët më të shquar që ka nxjerrë Britania, ndërsa drejtues të institucioneve të mëdha kulturore vlerësuan ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në artin modern.
I lindur në Bradford të Anglisë në vitin 1937, Hockney shfaqi talentin artistik që në moshë të re. Ai studioi në Royal College of Art në Londër, ku fitoi reputacion si një artist origjinal dhe sfidues i normave tradicionale.
Përgjatë karrierës së tij, ai trajtoi me guxim tema sociale dhe personale, duke u bërë një zë i rëndësishëm i lirisë artistike. Veprat e tij shpesh pasqyronin jetën homoseksuale dhe sfidonin paragjykimet e kohës, në një periudhë kur homoseksualiteti ende konsiderohej i paligjshëm në Britani.
Një nga momentet kulmore të karrierës së tij erdhi në vitin 2018, kur piktura “Portrait of an Artist (Pool With Two Figures)” u shit për 90.3 milionë dollarë në një ankand të Christie’s, duke vendosur atëherë rekordin botëror për veprën më të shtrenjtë të shitur nga një artist i gjallë.
Edhe në vitet e fundit të jetës, Hockney vazhdoi të krijonte dhe të eksperimentonte me teknologji të reja, duke përdorur mjete si iPad dhe platformat digjitale për realizimin e veprave të tij.
Me ndarjen nga jeta të David Hockney-t, bota e artit humbet një nga emrat më inovatorë dhe më me ndikim të epokës moderne, ndërsa veprat e tij mbeten një trashëgimi e çmuar për brezat e ardhshëm.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.