🌧️
Tiranë 14°C · Shi 26 Nëntor 2026
S&P 500 7,183 ▼0.25%
DOW 50,183 ▲0.33%
NASDAQ 23,586 ▼0.62%
NAFTA 84.64 ▲1.15%
ARI 3,597 ▲0.9%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667 EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667
₿ CRYPTO
BTC $60,885 ▲ +3.69% ETH $1,707 ▲ +3.55% XRP $0.9511 ▲ +4.74% SOL $70.9900 ▲ +4.61%
S&P 500 7,183 ▼0.25 % DOW 50,183 ▲0.33 % NASDAQ 23,586 ▼0.62 % NAFTA 84.64 ▲1.15 % ARI 3,597 ▲0.9 % S&P 500 7,183 ▼0.25 % DOW 50,183 ▲0.33 % NASDAQ 23,586 ▼0.62 % NAFTA 84.64 ▲1.15 % ARI 3,597 ▲0.9 %
EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667 EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667
26 Nën 2026
Breaking
roze

Ndërron jetë Andy Taylor, kitaristi i Duran Duran

Ndërron jetë Andy Taylor, kitaristi i Duran Duran

Andy Taylor, kitaristi i Duran Duran, një prej grupeve më të famshme të muzikës pop të viteve ’80, vdiq në moshën 65-vjeçare.

Në vitin 2018, ai u diagnostikua me kancer metastatik të prostatës në stadin e katërt. Diagnozën e bëri publike në vitin 2022, pak para se Duran Duran të përfshihej në Rock and Roll Hall of Fame.

“Për botën, Andy ishte një kitarist i shkëlqyer, por për ne ishte bashkëshorti më i mrekullueshëm, një baba i dashur dhe gjyshi më krenar”, thuhej në një deklaratë të familjes për Variety.

“Ai ishte shtylla e familjes sonë. Me gjithë përvojat e jashtëzakonshme që i solli muzika, familja ishte gjithmonë e para. Asgjë nuk e gëzonte më shumë sesa të na kishte të gjithëve bashkë dhe, sado larg ta çonte muzika, zemrën e kishte gjithmonë në shtëpi.” Variety

Tracey Wilson, bashkëshortja e tij prej më shumë se 40 vjetësh, tha se Taylor i përballoi vitet e fundit “me shumë guxim dhe vendosmëri” dhe se “nuk e humbi kurrë dashurinë për jetën”.

Ndërron jetë Andy Taylor, kitaristi i Duran Duran

“Andy ishte aty që në fillimet e historisë sonë”, tha grupi Duran Duran në një deklaratë. “Që kur mbërriti në Birmingham nga verilindja e Anglisë, me një kitarë dhe me bindjen e palëkundur për atë që mund të bëheshim, ai i dha muzikës sonë një zjarr dhe një guxim që i mbetën përgjithmonë. Mënyra si luante u dha shtysë këngëve që na çuan anembanë botës. Me humorin e tij të thatë dhe me mënyrën si e shihte jetën, pa sentimentalizëm e pa i rënë rrotull, na mbajti me këmbë në tokë dhe i dha grupit një karakter të mprehtë gjatë viteve të jashtëzakonshme që pasuan.”

Pas lajmit për vdekjen e tij, disa muzikantë e nderuan Taylorin. Rod Stewart e kujtoi si “mikun tim të dashur”.

“Bëmë muzikë të mirë bashkë dhe, njëkohësisht, u zbavitëm si të çmendur”, shkroi Stewart në Instagram.

Këngëtarja Belinda Carlisle e quajti Taylorin “gjeni”. “Ai luajti solon e kitarës në Mad About You, shfaqet në videoklip dhe doli si i ftuar në skenë në disa nga koncertet e mia të para si soliste. Çfarë talenti!”, shkroi ajo krahas një videoje ku të dy performonin së bashku.

“Faleminderit, Andy, për muzikën dhe për gjithë gëzimin që i solle botës, një gëzim që do të jetojë përgjithmonë. Shpresoj ta ndiesh gjithë këtë dashuri… Udhë të mbarë.”

Taylor lindi në vitin 1961 dhe u rrit në Cullercoats, në Northumberland, në një familje që punonte në industrinë vendase të peshkimit. Filloi t’i binte kitarës në moshën 11-vjeçare dhe mori mësime nga Dave Black, pjesëtar i Spiders from Mars, grupi shoqërues i David Bowie. E la shkollën herët dhe nisi të luante me grupe që dilnin në skenat e klubeve të punëtorëve.

Në vitin 1980 iu bashkua Duran Duran, grupit që ishte formuar më 1978 dhe ende nuk e kishte përcaktuar përbërjen. Grupi botoi një njoftim në revistën Melody Maker se kërkonte kitarist dhe Taylor shkoi në Birmingham për provë.

“Pas nja dy ditësh më morën në telefon dhe më thanë se, nga rreth 40 veta, isha i vetmi që dija ta akordoja kitarën, e jo më t’i bija”, kujtoi ai më vonë.

Ndërron jetë Andy Taylor, kitaristi i Duran Duran

Muajin pasues, Simon Le Bon iu bashkua grupit si këngëtar kryesor. Në shkurt 1981 doli kënga e tyre e parë, Planet Earth, ndërsa në korrik, me publikimin e Girls on Film, një këngë së cilës Taylor i dha hov me lojën e tij të saktë dhe ritmike në kitarë, grupi u bë i famshëm në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara. Albumi i dytë, Rio, doli në vitin 1982, e përforcoi imazhin e tyre ndërkombëtar si playboy dhe hyri në dhjetëshen e parë në të dyja vendet. Albumi pasues, Seven and the Ragged Tiger, zuri vendin e parë në Britani. Në një intervistë për Smash Hits më 1983, Taylor e përshkroi karrierën e sapomarrë hov si “një hobi që doli jashtë kontrollit”. Po atë vit, ai hapi një bar vere me emrin Rio në Whitley Bay, në zonën e tij të lindjes, Tyneside.

Pas albumit të tretë, Duran Duran bëri një pushim të shkurtër. Gjatë kësaj kohe, Andy Taylor dhe basisti John Taylor, me të cilin nuk kishte lidhje familjare, formuan grupin funk rock The Power Station me këngëtarin Robert Palmer dhe ish-bateristin e Chic, Tony Thompson. Dy këngë, Some Like It Hot, një krijim i grupit, dhe versioni i tyre i Get It On të T. Rex, hynë në dhjetëshen e parë amerikane në vitin 1985.

Më vonë po atë vit, Taylor u rikthye te Duran Duran për të regjistruar A View to a Kill, këngën e filmit të James Bondit që kryesoi klasifikimin amerikan, dhe për të luajtur me grupin në koncertin Live Aid në Filadelfia. Por marrëdhëniet brenda grupit ishin tensionuar, në një periudhë kur përdorej edhe drogë. Bateristi Roger Taylor u largua për shkak të rraskapitjes. Edhe Andy Taylor u largua për të ndjekur drejtimin më rock që kishte marrë me The Power Station, ndonëse pjesëtarët e tjerë të Duran Duran fillimisht menduan se ai do të vazhdonte me ta.

“Kisha qenë pranë një krize nervore nga stresi i jetës sonë të çmendur dhe nga problemi im me kokainën”, tha më vonë Taylor. “Po t’u shtoje këtyre gjithë ato zënka me britma dhe heshtjet e akullta, e dija se duhej të largohesha. Dhe u largova. Një ditë pas Live Aid, lashë alkoolin dhe drogën. Pa bërë zhurmë, nisa të kërkoja këshillë ligjore se si të shkëputesha nga Duran Duran.”

Në bashkëpunim me Steve Jones të Sex Pistols, publikoi në vitin 1986 albumin e tij solo Thunder. Kënga Take It Easy pati njëfarë suksesi në Shtetet e Bashkuara. Përveçse regjistroi Dangerous, një album me versione të këngëve të artistëve të tjerë, Taylor punoi për disa vjet si autor këngësh dhe producent për artistë të tjerë. Kënga e tij Lost in You, e interpretuar nga Rod Stewart, u bë hit në të dyja anët e Atlantikut në vitin 1988.

The Power Station u ribashkua për pak kohë në vitin 1996. Më 2000 u ribashkua edhe formacioni klasik i Duran Duran, që katër vjet më vonë publikoi albumin Astronaut. Taylor shkoi në turne me grupin dhe punoi për një album tjetër, Reportage, që më pas u la mënjanë. Vdekja e të atit nga kanceri e goditi rëndë dhe në vitin 2006 u largua sërish nga grupi. Një vit më vonë u diagnostikua me depresion.

Dekadën pasuese e kaloi larg muzikës. Në vitin 2008 botoi kujtimet e tij, Wild Boy: My Life in Duran Duran. Në vitin 2019 publikoi një këngë të re solo dhe iu bashkua grupit britanik të rockut Reef si kitarist në turne. Ai prodhoi edhe albumin e tyre të vitit 2022, Shoot Me Your Ace.

Megjithëse marrëdhëniet me Duran Duran herë pas here ishin të tensionuara, në deklaratën me rastin e përfshirjes së grupit në Rock and Roll Hall of Fame, Taylor tha se mes tyre nuk kishte “mëri… vetëm dashuri dhe respekt të pastër për gjithçka që shkruam, regjistruam dhe arritëm së bashku”.

Taylor u martua me Wilson në vitin 1982. Ata patën katër fëmijë, Andrew, Georgina, Bethany dhe Isabella.

Pas diagnozës së kancerit, Taylor tha se karriera në muzikë e ndihmoi ta mbante lart moralin. “Kam pasur shumë fat. Kam pasur kaq shumë mundësi për ta jetuar ëndrrën time. Besoj se pikërisht puna me muzikën më ka ndihmuar shumë të jetoj me pesimizmin që sjell një sëmundje e pashërueshme”, tha ai./ Përshtatur nga The Guardian

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.