Në Prishtinë diskutohet rruga e Kosovës drejt BE-së: Zgjerimi kërkon vizion të përbashkët
Rikthimi i zgjerimit në qendër të agjendës evropiane, dallimet mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për ritmin dhe kushtet e këtij procesi, si dhe sfidat që e presin Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit, ishin në fokus të një diskutimi të nivelit të lartë të zhvilluar të mërkurën në Prishtinë.
Në kuadër të diskutimit “Qëndrimet e kryeqyteteve evropiane ndaj zgjerimit: perspektivat, prioritetet dhe rruga e Kosovës drejt BE-së”, ekspertë evropianë, diplomatë, përfaqësues institucionesh dhe pjesëtarë të shoqërisë civile analizuan mënyrën se si qëndrimet e shteteve anëtare po ndikojnë në të ardhmen e procesit të zgjerimit dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Ngjarja u organizua nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Austro-French Centre for Rapprochement in Europe, Balkan Research Institute dhe French Institute of International Relations.
Në fjalën hyrëse, drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Dren Puka, tha se lufta në Ukrainë ka sjellë një momentum të ri për zgjerimin e BE-së dhe ka ndryshuar edhe logjikën e këtij procesi.
Sipas tij, përveç reformave dhe përmbushjes së kritereve, në procesin e zgjerimit po marrin peshë gjithnjë e më të madhe siguria, përafrimi gjeopolitik dhe gatishmëria politike e shteteve anëtare.
Puka tha se rasti i Kosovës e nxjerr në pah këtë kontradiktë, pasi procesi i zgjerimit duhet të bazohet në meritë, ndërsa avancimi i Kosovës lidhet edhe me vendime politike të shteteve anëtare, përfshirë çështjen e njohjes së Kosovës dhe nevojën për konsensus brenda BE-së.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, tha se zgjerimi është rikthyer në qendër të agjendës strategjike të Evropës, por se shtetet anëtare vazhdojnë të kenë dallime sa i përket ritmit, kushteve dhe mënyrës se si duhet të zhvillohet ky proces.
Sipas Huchet, për Francën zgjerimi duhet të jetë i besueshëm dhe i bazuar në meritë, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të përgatitet institucionalisht, politikisht dhe financiarisht për pranimin e anëtarëve të rinj.
Ai vlerësoi disa hapa të Kosovës, përfshirë aplikimin për anëtarësim në BE dhe liberalizimin e vizave, por theksoi nevojën për vazhdimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe angazhimin e vazhdueshëm në dialog.
Ndërkaq, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, tha se zgjerimi përbën një prioritet strategjik për sigurinë dhe autonominë strategjike të Evropës, por vlerësoi se qasja aktuale nuk i përgjigjet plotësisht urgjencës së krijuar nga zhvillimet gjeopolitike.
Schnetzer kërkoi që procesi të përshpejtohet përmes hapave konkretë, duke përmendur ndër të tjera vlerësimin e aplikimit të Kosovës nga Komisioni Evropian për statusin kandidat.
Ai tha se Austria mbështet edhe thjeshtimin e procedurave dhe votimin me shumicë të cilësuar, si dhe shmangien e bllokadave të procesit të zgjerimit nga çështjet bilaterale, duke theksuar njëkohësisht se kriteret dhe reformat themelore nuk duhet të komprometohen.
Sipas ambasadorit austriak, integrimi gradual mund të shërbejë si një mënyrë që vendet kandidate të përfitojnë konkretisht nga procesi i integrimit edhe para anëtarësimit të plotë, ndërsa synimi përfundimtar mbetet anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE.
Në diskutim u përfshi edhe kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, i cili u fokusua te hendeku ndërmjet progresit të Kosovës në reforma dhe integrimit praktik me BE-në, në njërën anë, dhe ngecjes së procesit të anëtarësimit, në anën tjetër.
Zulfaj tha se, pavarësisht progresit në disa fusha, aplikimi i Kosovës për anëtarësim mbetet i bllokuar dhe se Këshilli i BE-së ende nuk i ka kërkuar Komisionit Evropian të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës.
Sipas tij, prioritet duhet të jetë marrja e statusit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim.
Zulfaj argumentoi gjithashtu se dialogu me Serbinë mund të trajtohet përmes një kapitulli të veçantë gjatë procesit të anëtarësimit, në ngjashmëri me mënyrën se si është trajtuar çështja e normalizimit në rastin e kapitullit 35.
Ai theksoi se, në kontekstin aktual gjeopolitik, përafrimi i plotë i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe me vlerat themelore të Unionit, duhet të merret parasysh në vlerësimin e avancimit të saj.
Diskutimi i panelit u moderua nga Florent Marciacq, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Austro-French Centre for Rapprochement in Europe dhe bashkëpunëtor hulumtues në Institut français des relations internationales (Ifri), në Vjenë dhe Paris.
Gjatë panelit u theksua se qëndrimet e shteteve anëtare ndaj zgjerimit ndikohen nga mënyra se si secili shtet e interpreton rëndësinë gjeopolitike të këtij procesi, por edhe nga interesat e brendshme, çështjet e sigurisë, kapaciteti absorbues i BE-së dhe vizionet e ndryshme për të ardhmen e Unionit.
Pjesëmarrësit vlerësuan se pas luftës në Ukrainë ekziston mbështetje më e madhe politike për zgjerimin, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se shtetet anëtare kanë një qëndrim të përbashkët për mënyrën dhe shkallën e zgjerimit të ardhshëm.
Për Kosovën, u tha se momentumi i ri gjeopolitik nuk përkthehet automatikisht në përparim drejt BE-së.
Perspektiva e saj evropiane, sipas diskutimeve, varet jo vetëm nga përmbushja e kritereve dhe zbatimi i reformave, por edhe nga kohezioni politik ndërmjet shteteve anëtare dhe vendi që Kosova zë në prioritetet e tyre për zgjerimin.
Në panel u argumentua gjithashtu se perspektiva evropiane e Kosovës duhet të trajtohet përtej prizmit të dialogut Kosovë–Serbi.
Në këtë kontekst u diskutua edhe mundësia e shfrytëzimit të mekanizmave të integrimit gradual dhe formave të reja të përfshirjes së Kosovës në fusha të ndryshme të politikave evropiane, veçanërisht në ato ku çështja e statusit paraqet më pak kufizime.
Në panel morën pjesë Donika Emini, drejtore ekzekutive e Balkan Research Institute në Prishtinë, hulumtuese në Universitetin e Grazit dhe anëtare e BiEPAG; Ruth Ferrero-Turrión, profesore në Complutense Institute for International Studies në Madrid; Kai-Olaf Lang, hulumtues i lartë në German Institute for International and Security Affairs në Berlin; Clotilde Warin, bashkëpunëtore e asociuar shkencore në Institut Jacques Delors dhe drejtore e Programit për Evropën në Eastern Circles në Paris; si dhe Doris Wydra, hulumtuese e lartë dhe drejtoreshë ekzekutive e Salzburg Centre of European Union Studies në Salzburg.
Ngjarja u mbështet nga Open Society Foundations Western Balkans, Ambasada e Austrisë në Prishtinë dhe Suedia./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.