Nata e 15-të e protestës në Prishtinë, vendoset mbishkrimi “Bac s’u kry”
Qytetarë të shumtë mblidhen në sheshin "Skënderbeu" kundër aktgjykimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së; kërkohet procedimi urgjent në Kuvend i ndryshimeve të Ligjit për Specialen para 6 tetorit.
Në natën e pesëmbëdhjetë të protestës “Jo në emrin tim”, qytetarë të shumtë u mblodhën sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës për ish-krerët e UÇK-së, siç njofton KosovaPress.
Protestuesit vendosën mbishkrimin “Bac s’u kry”, duke shprehur mbështetje për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, të dënuar më 16 shtator me gjithsej 81 vjet heqje lirie nga Gjykata Speciale në Hagë, raporton KosovaPress.
Gjatë tubimit u bë thirrje për lirimin e tyre, ndërsa Qeverisë së Kosovës iu kërkua që të procedojë urgjentisht në Kuvend për miratim projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, para datës 6 tetor.
Protesta kundër vendimit të Hagës janë mbajtur edhe në Shkup, në disa qytete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri, ndërsa janë paralajmëruar protesta të reja edhe në Bruksel më 10 tetor. Ndërkohë, kujtohet se nesër nga ora 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë mbahet protesta e paralajmëruar nga platforma “Liria ka Emër” kundër vendimit të Speciales.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.