Në SHBA hapet xhamia e parë me besimtarë latinë
Në SHBA ka 55 milionë hispanikë dhe rreth 3 milionë myslimanë. Llogaritet se numri i latinëve të konvertuar në myslimanë varion nga 30 mijë në 300 mijë. Asnjëherë më parë, komuniteti mysliman i latinëve nuk ka pasur një qendër të vetën
Alfonso Flores u duk i lehtësuar kur doli nga korridori i lutjeve. Laboranti dentar pranoi shtrëngimet e duarve dhe përqafimet nga anëtarët e tjerë të “Centro Islámico”, xhamia e vetme amerikane e ndërtuar për të qenë një vend me myslimanë latinë. Ata njihen me mësimet e fesë myslimane, ndërsa drejtuesit kanë krijuar një program në gjuhën spanjolle.
Flores përfundoi “shahada”-n, ritin ku pranoi se ka vetëm një Zot dhe Muhamedi është i dërguari i tij. Në këtë xhami mblidhen besimtarë të cilët rrënjët i kanë nga Kolumbia, Porto Riko, Meksika, Kuba dhe vende të tjera latine, të cilat shërbejnë ushqime hallall, por që bazën e kanë nga recetat e tyre tradicionale.
“Ne këtu jemi si një familje”, tha Ana Ortiz, një myslimane nga Porto Rikoja me origjinë, por që më parë ka qëndruar në Nju Xhersi.
Që kur kjo xhami u hap më 30 janar të 2016, 18 njerëz kanë kryer ritin e “shahadas”, në xhaminë në Hjuston (Teksas).
Në SHBA ka 55 milionë hispanikë dhe rreth 3 milionë myslimanë. Llogaritet se numri i latinëve të konvertuar në myslimanë varion nga 30 mijë në 300 mijë.
Myslimanët latinë shkonin në xhami të ndryshme, por në fund vendosën se atyre u duhej një vend i veçantë.
“Ne zakonisht mblidheshim në xhami të ndryshme. Por më pas u mblodhëm dhe vendosëm të gjithë bashkë që duhet që të krijonim një vend për hispanikët, ku të takoheshim dhe të mësonim rreth islamit”, tha Magidel Morris, ndërsa shërbente ushqime hallall.
“Latinët duan të mësojnë rreth islamit. Por disa herë kur ata futen në një xhami, aty nuk ka njerëz që t’i shërbejnë nëse nuk flasin anglisht”, tha meksikani Jalil Navarro.
Organizata “Islami në spanjisht” ka për qëllim që të mbushë këtë hapësirë.
Ajo u themelua në vitin 2001 nga amerikano-kolumbiani i konvertuar në mysliman, Jaime Fletcher. Organizata krijoi material dhe programe në spanjisht dhe rreth 1 mijë latinë bashkëpunojnë me të.
“Këta besimtarë kanë qenë të aftë që të ndërtojnë identitete shumë të forta latine dhe myslimane dhe më pas t’i shkrijnë ato bashkë. Ata janë shumë seriozë në lidhje me këtë gjë”, tha Ken Chitwood, student doktorant në Universitetin e Floridës, i cili studion dhe shkruan për rritjen e komunitetit mysliman latin.
Në kërkimin e tij, doktoranti ka vënë re se shumica e latinëve janë konvertuar nga të krishterë në myslimanë.
Pjesa e brendshme e xhamisë së Hjustonit është e dekoruar me motive që u bëjnë jehonë harqeve të zhveshura të “La Mezquita de Córdoba”, xhamisë 10-shekullore që ende mbahet në këmbë në jug të Spanjës.
“Ata po punojnë të ndërtojnë identitetin. Ata po imagjinojnë një shtëpi të përbashkët për veten, që ndahet nga myslimanët latinë dhe i ka rrënjët në një histori islamike më tradicionale. Kur thua bota islamike, asnjë nuk mendon për Porto Rikon apo Kubën”, shpjegoi Chitwood.
“Ti mund ta praktikosh islamin dhe të ngelesh latin. Ne duam që latinët të jenë krenarë për origjinën nga vijnë, të kenë një ndjesi të fortë të identitetit për veten”, tha Fletcher.
Flores ka folur për islamin me bashkëpunëtorë të tjerë besimtarë dhe ka vizituar xhami të tjera, ndërsa ka mësuar më shumë rreth kësaj feje.
Por kur ai gjeti “Centro Islámico” – vendosi që ta pranonte këtë besim si të tijin.
“Ata mund të mbështeteshin te ne. Shumë myslimanë rriten sipas stilit të tyre të jetesës. Ne të gjithë jemi të ndryshëm. Ne e ndryshojmë besimin tonë, por ne nuk ndryshojmë kulturën”, tha Magidel Morris, shamia e së cilës ishte ngjyrosur me ngjyrat e flamurit meksikan, e kuqe, e bardhë dhe jeshile. “Ne prapë ngelemi meksikanë”.