Nga Belgjika në Greqi, europianët ngrihen kundër rritjes së çmimeve
Në Bruksel, dyqanet e qendrës tregtare Docks ulën njëri pas tjetrit qepenat, si pjesë e një aksioni të organizuar nga sindikata e punëtorëve, CNE. Një grevë më e gjerë pritet të prekë sektorë të tërë të aktivitetit ekonomik të vendit në mesin e kërkesave për masa konkrete kundër inflacionit galopant.
“Sot i mbyllëm të gjithë dyqanet në Docks. Ne kemi shumë sindikaliste këtu, por aksionit iu bashkuan pa hezitim edhe punëtorë të tjerë, si me kontrata të përhershme, ashtu dhe të përkohshme. I ndihmuam në mënyrë që të mos ndëshkohen nga punëdhënësit e tyre, e të mos u rrezikohet puna. Mesazhi që po i dërgojmë pushtetarëve është se në këtë krizë nuk do të paguajmë vetëm ne, nuk do të paguajë vetëm populli“- shprehet Jalil Bourhidane, punonjës dhe anëtar i CNE.
Europa u prek nga pasojat e luftës në Ukrainë, e cila po përkeqëson krizën globale të energjisë, inflacionin dhe mungesën e disa produkteve ushqimore. Por fillimi i dimrit, i cili sjell dhe rritjen e faturave të energjisë, si dhe parashikimet e përsëritura të një recesioni në mbarë kontinentin po e përkeqësojnë akoma edhe më shumë situatën.
Në Bruksel, shtëpia e Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE-së, edhe punëtorë të tjerë kanë protestuar kundër inflacionit që po kapërcen 12 përqind — shumë mbi mesataren e 10.7 përqind në të gjithë zonën e euros.
Sindikata më e madhe e vendit, FGTB, kërkon negocim të pagave, ndërsa qeveria kundërshton me pretendimin se se pagat belge janë tashmë të indeksuara me inflacionin – një marrëveshje kjo që nuk është parë në shumicën e vendeve të tjera.