Për takimin e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, nga presidenti i Francës, Emanuel Macron, në orët e mbrëmjes, njoftuan me komunikatë të përbashkët të dy institucionet e shtetit.
Aty shkruan se në takim me presidentin Macron, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dinamizimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon dhe Evropë.
“Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti e falënderuan presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e këtij procesi”, shkruan në komunikatën e përbashkët të presidencës dhe kryeministrisë.
“Presidentja ritheksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës në procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilët janë të paprekshme”.
Sipas komunikatës, në takim, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë potencuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
“Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë folur edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës, mbeten të përkushtuara për paqe, stabilitet dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit”.
Në këtë drejtim, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti citohen të kenë përmendur tendencat destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri.