Nga buxheti te infrastruktura – të gjitha vendimet e Qeverisë
Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar një numër të madh projektligjesh, marrëveshjesh financiare, rialokimesh buxhetore dhe vendimesh për shpronësime e projekte infrastrukturore. Ndër vendimet kryesore është miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, që parashohin 102 milionë euro shtesë.
Në mbledhje është miratuar Rregullorja për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Ministrive, si dhe disa marrëveshje financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Qeveria miratoi Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare për Programin IPA 2021, atë për IPA 2022, si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare Kosovë-BE për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Ndryshime në luftën kundër pastrimit të parave
Ekzekutivi miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Sipas njoftimit, projektligji synon forcimin e parandalimit dhe luftimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke përcaktuar masa për institucionet financiare dhe subjektet e tjera lidhur me monitorimin e transaksioneve, verifikimin e klientëve dhe raportimin e aktiviteteve të dyshimta.
Është miratuar edhe Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore, i cili rregullon përdorimin dhe shpërndarjen e ujërave, mbrojtjen nga ndotja dhe përmbytjet dhe parasheh themelimin e Agjencisë për Menaxhimin e Resurseve Ujore.
Qeveria miratoi gjithashtu Rregulloren për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Udhëzimin Administrativ për procedurën e themelimit të parqeve industriale dhe teknologjike. Ky i fundit përcakton hapat dhe mënyrën e shfrytëzimit të parqeve, me synim nxitjen e investimeve, prodhimit për eksport dhe krijimit të vendeve të punës.
Mbi 1.2 milion euro për projekte në Drenas, Podujevë dhe Shtime
Në fushën e infrastrukturës, Qeveria miratoi rialokimin e 200 mijë eurove në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit për ndërtimin e urës në rrugën “Agron Mehmeti”, në Shtrubullovë të Drenasit.
Një tjetër rialokim, në vlerë prej 1,080,787.51 eurosh, është miratuar për projekte në Podujevë dhe Shtime. Mjetet do të përdoren për ndërtimin e rrugëve Lluga-Bellopojë dhe Siboc-Dumosh në Podujevë, si dhe asfaltimin e rrugëve Topillë, Carralevë-Zborc dhe Rancë-Greiçevc në Shtime.
Po ashtu është miratuar Plani i Veprimit 2026-2028 i Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030 dhe Raporti Vjetor 2024-2025 për implementimin e Programit për Eliminimin e Barrierave në Tregti.
Shpronësime për rrugët Prishtinë-Podujevë, Ferizaj dhe autostradën drejt Gjilanit
Një pjesë e konsiderueshme e vendimeve lidhet me shpronësimet për projekte infrastrukturore.
Qeveria miratoi vendimin përfundimtar për shpronësim shtesë të pronave që preken nga zgjerimi i Rrugës Nacionale N2, në segmentin e hyrjes në Ferizaj.
Vendim përfundimtar është marrë edhe për pronat që preken nga zgjerimi i Rrugës Nacionale M25 Prishtinë-Podujevë, në disa zona kadastrale të Prishtinës dhe Podujevës.
Vendime preliminare janë miratuar për rehabilitimin e rrugës rajonale R112, në segmentin Gjonaj-Bishtazhin, sanimin e rrëshqitjes së dheut në rrugën Hani i Elezit-Gorancë dhe ndërtimin e Parkut Industrial në Gjakovë.
Në Podujevë, vendimet për shpronësim lidhen me disa projekte, përfshirë ndërtimin e Tregut të Kafshëve, Tregut të Gjelbër, banesave me kosto të përballueshme, çerdheve për fëmijë dhe Muzeut të Qytetit.
Qeveria ka miratuar edhe shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për projektin e Autostradës “Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, segmenti Banullë-Bresalc, si dhe vendime që lidhen me projekte në Fushë Kosovë dhe projektin “Solar4Kosovo II – Gypi B” në Obiliq.
Marrëveshje kredie për shëndetësinë
Në sektorin e shëndetësisë, Qeveria vendosi t’i kërkojë Presidentes së Kosovës autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Përmirësimi i Kujdesit Shëndetësor Sekondar dhe Terciar”.
Është miratuar edhe nisma për negocimin e një marrëveshjeje kredie me Bankën Evropiane të Investimeve për pajisje mjekësore dhe përmirësim të infrastrukturës.
Sipas Qeverisë, projekti synon rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në sistemin publik shëndetësor përmes furnizimit me pajisje të reja mjekësore për institucionet e kujdesit sekondar dhe terciar.
102 milionë euro shtesë në buxhetin e vitit 2026
Një prej vendimeve kryesore të mbledhjes ishte miratimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026.
Sipas dokumentit, ndryshimet parashohin 102 milionë euro shtesë, të cilat synojnë përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe mbulimin e nevojave prioritare të buxhetit për këtë vit.
Në fushën e infrastrukturës janë miratuar gjithashtu transferime prej 14.767 milionë eurosh, si dhe rialokimi i 2.5 milionë eurove brenda nënprogramit buxhetor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.
Mbështetje për filmat kosovarë në rrugëtimin drejt Oscar
Qeveria ka ndarë mjete financiare edhe për promovimin ndërkombëtar të filmave kosovarë “Dua” dhe “Shame and Money”, në kuadër të rrugëtimit të tyre drejt Academy Awards.
Sipas vendimit, mbështetja synon fuqizimin e pranisë së kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare dhe promovimin e Kosovës, kulturës, historisë dhe industrisë kreative.
Po ashtu është miratuar dhënia në shfrytëzim e një parcele në Prizren për projektin e rezervuarit të ujësjellësit, ndërsa është aprovuar rialokimi i mjeteve në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për masa preventive dhe intervenime emergjente në asetet e trashëgimisë kulturore.
Emërime në tri institucione
Qeveria ka emëruar komisionet e pranimit për disa pozita të larta drejtuese.
Për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, komisioni përbëhet nga Venera Çerkini, Shemsi Duriqi, Jetmir Haziri, Ahmet Gashi dhe eksperti i jashtëm Valon Lepaja.
Komision është emëruar edhe për pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrim Civil, me Jeton Qelën kryesues, si dhe për pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, ku kryesues është Genc Metaj.
Ndër vendimet e tjera, Qeveria miratoi në parim nismën për aderimin në Konventën Ndër-Amerikane për Vuajtjen e Dënimeve Penale Jashtë Vendit, themelimin e Grupeve Tematike për rishikimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, si dhe listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit në Ministrinë e Ekonomisë.
Në fund, Qeveria ka miratuar edhe Statutin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE)/Energy Storage Corporation” Sh.A., në pronësi të Republikës së Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.