MADRID – Macron kërkon sqarime për deklaratat e pretenduara antisemite të Bardella
MADRID, 30 shtator /ATSH-DPA/- Pas akuzave të rënda për antisemitizëm ndaj Jordan Bardella, liderit të Tubimit Kombëtar të Francës, presidenti Emmanuel Macron i ka kërkuar kësaj partie të së djathtës ekstreme, të sqarojë qëndrimin e saj.
“Para së gjithash, deklaratat e cituara janë, natyrisht, jashtëzakonisht të rënda dhe të papranueshme dhe nuk lënë vend për koment”, tha Macron gjatë një vizite shtetërore në Spanjë.
”Ato kërkojnë dënimin më të fortë të mundshëm”, shtoi ai.
“Udhëheqësit politikë duhet të bëjnë të qartë se çfarë qëndrimi politik mbajnë, cilat deklarata i konsiderojnë të pranueshme dhe cilët persona brenda partisë së tyre, mund të bëjnë deklarata të tilla”, tha Macron.
Më herët, faqja investigative e lajmeve në internet “Mediapart” raportoi se Bardella, vite më parë, kishte bërë deklarata qartësisht antisemite.
Politikani i së djathtës ekstreme i mohoi këto akuza.
Konkretisht, “Mediapart” i referohet asaj që e quan “antisemitizëm të vazhdueshëm”, duke iu referuar komunikimeve me shkrim të Bardella nga viti 2013 deri në vitin 2015.
”Mediapart” pretendon se ka qenë në gjendje t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto materiale.
Sipas “Mediapart”, gjatë viteve të para të angazhimit të tij politik, Bardella kishte shkruar mesazhe që përmbanin stereotipe dhe teori konspirative, për shembull pretendime për kontrollin e pushtetit nga hebrenjtë dhe përpjekjet për krijimin e një rendi të ri botëror.
“Natyrisht, këto janë falsifikime të trasha”, komentoi Bardella lidhur me akuzat.
Me rreth shtatë muaj të mbetur deri në zgjedhjet presidenciale, këto akuza vijnë në një moment veçanërisht të pafavorshëm për Tubimin Kombëtar.
Partia e së djathtës ekstreme shpreson që Marine Le Pen të bëhet presidentja e ardhshme e Francës.
Sipas planit të Tubimit Kombëtar, Bardella pritet të bëhet kryeministër në një qeveri të drejtuar nga Le Pen, nëse ajo zgjidhet presidente. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.