Nga kujdesi parësor tek digjitalizimi, ministrja Sala prezanton në OKB prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, mori pjesë këtë të martë në sesionin e 79-të të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë dhe gjatë takimeve me homologë të vendeve pjesëmarrëse, theksoi angazhimin e Shqipërisë dhe prioritetet kyçe për ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të fortë, modern dhe të qëndrueshëm për qytetarët.
Duke u ndalur tek sfidat globale me të cilat përballen sistemet shëndetësore, ministrja Sala nënvizoi se shëndeti nuk mund të trajtohet i ndarë nga zhvillimi social, ekonomik dhe siguria publike, ndërsa vlerësoi rolin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në forcimin e sigurisë shëndetësore globale.
“Shqipëria mbështet fuqimisht rolin e OBSH-së si një shtyllë kyçe e arkitekturës globale të shëndetit, veçanërisht në forcimin e sigurisë shëndetësore, avancimin e mbulimit universal dhe mbështetjen e vendeve anëtare me ekspertizë dhe politika të bazuara në të dhëna”, u shpreh ministrja Sala.
Në fjalën e saj, ministrja prezantoi prioritetet kryesore të reformës në shëndetësi, duke theksuar forcimin e kujdesit shëndetësor parësor, transformimin digjital të sistemit dhe investimet në modernizimin e infrastrukturës spitalore dhe rritjen e kapaciteteve të personelit shëndetësor.






“Së pari, po forcojmë kujdesin shëndetësor parësor, me fokus te shërbimet më pranë qytetarëve, diagnostikimi i hershëm dhe menaxhimi i sëmundjeve kronike, duke synuar akses dhe cilësi më të lartë në të gjithë territorin. E marr shkas që sot, në Ditën Botërore të Mjekut të Familjes t’i shpreh mirënjohjen për kontributin dhe përkushtim mjekëve të familjes që shërbejnë në të gjithë vendin.
Së dyti, po përshpejtojmë transformimin digjital të sistemit shëndetësor, përmes zgjerimit të shërbimeve elektronike, përdorimit të të dhënave për politika më efikase dhe rritjes së ndërveprimit mes institucioneve shëndetësore, në funksion të një sistemi më transparent dhe më të shpejtë për qytetarët.
Së treti, po investojmë në modernizimin e infrastrukturës spitalore dhe në forcimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor, duke e konsideruar kapitalin njerëzor si elementin më të rëndësishëm të sistemit tonë të shëndetit. Paralelisht, po rrisim kapacitetet për gatishmëri dhe reagim ndaj emergjencave shëndetësore.”, tha ministrja.
Sipas saj, ndryshimet klimatike, pabarazitë sociale, zhvillimet demografike dhe siguria digjitale ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve dhe kërkojnë përgjigje të përbashkëta.
Mes të tjerash, në fund ajo vlerësoi bashkëpunimin me OBSH-në për Evropën dhe nismat rajonale si mekanizma që forcojnë solidaritetin dhe dialogun mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që nënvizoi se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë aktivisht për sisteme shëndetësore më të forta, më të drejta dhe më të qëndrueshme për të gjithë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.