Nga SEO te AEO, si Inteligjenca Artificiale po ndryshon mënyrën e kërkimit në internet
Inteligjenca Artificiale po ndryshon mënyrën se si njerëzit kërkojnë dhe marrin informacion në internet. Bëhet fjalë për një koncept të ri, Answer Engine Optimisation (AEO). Ndryshe nga koncepti aktual SEO, që synon renditjen sa më lart të një faqeje në rezultatet e kërkimit, AEO synon që një kompani apo markë të përzgjidhet nga platformat e AI-së si pjesë e përgjigjes që i jepet drejtpërdrejt përdoruesit.
Shanker Joyrama, themelues dhe e Orion Digital, thotë se ndryshimi kryesor është kalimi “nga të qenit i gjetur, te të qenit i zgjedhur”. Platformat si ChatGPT, Gemini dhe Perplexity mbështeten në një ekosistem më të gjerë informacioni, ku përfshihen faqet zyrtare, mediat e besueshme, publikimet e industrisë, burimet qeveritare dhe përmbajtjet e drejtuesve të kompanive.
Në këtë realitet të ri, marrëdhëniet me publikun dhe reputacioni online marrin një rëndësi më të madhe. Joyrama argumenton se artikujt e publikuar nga media të pavarura dhe burime të besueshme mund të ndikojnë në mënyrën se si sistemet e AI-së kuptojnë dhe paraqesin një markë. “Media nuk është më e vlefshme vetëm sepse e lexojnë njerëzit. Është e vlefshme sepse e lexon edhe AI”, shprehet ai.
Sipas Joyrama, tre elementet kryesore që ndikojnë në mënyrën se si një markë shfaqet në përgjigjet e AI-së janë qëndrueshmëria e informacionit, besueshmëria dhe qartësia. Kompanitë duhet të sigurohen që informacioni për to të jetë i qartë dhe i njëjtë në faqet zyrtare, media dhe platformat sociale.
Ai paralajmëron gjithashtu kundër përpjekjeve për të manipuluar sistemet e AI-së, në të njëjtën mënyrë siç është tentuar më herët me algoritmet e motorëve të kërkimit. Sipas tij, strategjia më e mirë është krijimi i informacionit të qartë, të besueshëm dhe të qëndrueshëm, në mënyrë që sistemet e AI-së ta kuptojnë saktë një organizatë dhe ta konsiderojnë atë një burim të besueshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.