Nga SEPA te hekurudha Prishtinë-Durrës, Kurti prezanton prioritetet e Kosovës në samitin e Tiranës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit në samitin e zhvilluar në Tiranë, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim, duke theksuar se vendi e ka merituar këtë hap.
Në samit, ku morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, komisionerja evropiane Marta Kos dhe përfaqësues të tjerë rajonalë, Kurti foli për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë ekonomike.
Duke folur për raportet me Shqipërinë, Kurti theksoi se tregu i energjisë elektrike i Kosovës tashmë është i integruar me atë shqiptar, ndërsa përmendi edhe projektin e planifikuar të hekurudhës Prishtinë–Durrës si një prej projekteve të rëndësishme për ndërlidhjen e dy vendeve dhe rajonit.
Ai kërkoi që hekurudhat e planifikuara të integrohen në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit, duke vlerësuar se lidhshmëria në transport dhe energji është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë.
Kurti përmendi edhe pikën kufitare Vërmicë–Morinë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e cila është përfshirë në projektin e Korridoreve të Gjelbra të Planit të Rritjes të BE-së. Sipas tij, masat e reja kufitare kanë ndikuar në shkurtimin e kohës mesatare të zhdoganimit për dy të tretat, nga rreth 11 orë në afërsisht tri orë e gjysmë.
Kryeministri foli edhe për bashkëpunimin ekonomik rajonal, duke theksuar se integrimi ekonomik duhet të shërbejë edhe si mekanizëm për forcimin e sigurisë, veçanërisht në një kohë kur, sipas tij, kërcënimet hibride dhe presioni nga Rusia po shtohen në Evropë.
Sa i përket bashkëpunimit me Shqipërinë, Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të infrastrukturës energjetike dhe transportuese, duke e cilësuar sigurinë energjetike si pjesë të sigurisë ekonomike dhe kombëtare.
Në fjalimin e tij, Kurti prezantoi edhe disa të dhëna për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai tha se rritja ekonomike ishte 4.7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, investimet private në vitin 2025 ishin 77 për qind më të larta se në vitin 2021, ndërsa papunësia, sipas tij, kishte rënë nga 26 në 11 për qind.
Kurti foli edhe për investimet në energji të ripërtëritshme, zhvillimin e teknologjisë informative dhe ndërtimin e fabrikës së parë të municionit në Kosovë, duke e paraqitur vendin si një mundësi për investitorët evropianë.
Ai bëri të ditur se Kosova ka marrë 61.8 milionë euro si këst të parë të parafinancimit në kuadër të Agjendës së Reformave, ndërsa ka kërkuar edhe 153 milionë euro të tjera për 20 hapa reformues që, sipas tij, janë përmbushur.
Një pjesë të fjalimit Kurti ia kushtoi edhe lehtësimit të qarkullimit dhe tregtisë ndërmjet vendeve të rajonit. Ai përmendi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), lansimin e pagesave të menjëhershme dhe kuletën digjitale, si dhe negociatat me BE-në për heqjen e tarifave shtesë të roamingut.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, kryeministri përmendi se Kosova i ka ratifikuar pesë marrëveshjet e mobilitetit, ndërsa kritikoi Serbinë për mosnjohjen e diplomave dhe pengesat që, sipas tij, vazhdojnë të ekzistojnë në kuadër të bashkëpunimit rajonal.
Ai gjithashtu akuzoi Serbinë për bllokimin e interkoneksionit elektrik Kosovë–Serbi, duke kërkuar nga Komisioni Evropian që të sigurojë zbatimin e detyrimeve të dakorduara.
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, Kurti kërkoi që Bashkimi Evropian të avancojë procesin e integrimit të Kosovës, duke theksuar se vendi është i vetmi në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e kandidatit për anëtarësim.
Ai rikujtoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para gati katër vjetësh dhe kërkoi që Këshilli i Bashkimit Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës.
“Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave për anëtarësim, një hap që Kosova e ka merituar”, deklaroi Kurti, duke shtuar se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në BE mbetet ndër më të lartat në rajon./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.