“Ishte një thikë pas shpine”- Partia e re ‘Të Bashkuar për Shqipërinë’ përçan flamingot e protestës, aktivisti: Ky është një kopjim i keq i Serbisë!
Tradhti dhe thikë pas shpine, kështu e cilësoi në Report Tv aktivisti Ilir Xhemalaj nismën për të krijuar një parti politike “Të bashkuar për Shqipërinë”.
Xhemalaj tha se ata janë prej 180 ditësh në shesh dhe askush nuk i kishte informuar për këtë hap të ndërmarrë. Ai thekson madje se vet protestuesit kishin bërë edhe një pakt ku para protestës së 28 nëntorit apo siç e kanë quajtur ata ‘Nëntori i Tretë’ nuk duhet të kishte asnjë lëvizje të tillë.
Po ashtu ai thotë se grupi që mori nismën e djeshme nuk përfaqësojnë studentët apo të gjithë ata njerëz që janë në shesh. Sipas Xhemalajt ky është një ‘kopje e keqe’ e studentëve serbë.
“Në atë shesh ne kemi 180 ditë që jemi aty dhe përpara 28 nëntorit që e kemi cilësuar si nëntor të tretë të realizojmë përmbysjen e këtij sistemi. Dhe në atë shesh ne kemi bërë një pakt të heshtur mes protestuesve që para 28 nëntorit nuk duhet të kemi asnjë lëvizje politike. Dhe ne në asnjë mënyrë nuk duhet të përçahemi. Ajo që ndodhi dje ishte një thikë pas shpine për protestën, ata personazhe që dolën aty janë pjesë e protestës, por nuk përfaqësojnë studentët. Për ne ishte pak e papritur pasi kemi qenë aty përditë dhe askush nuk na tha për formalizimin e kësaj partie.
Personat që dolën në atë deklaratë, pretendimi i tyre se ata përfaqësojnë protestën apo studentët është i gabuar, ata përfaqësojnë vetëm grupin e tyre prej pesë vetash. Ka dalë një trend aty në shesh, pasi duke parë ata studentët në Serbi, ne po bëjmë një kopjim shumë të keq. Por organizimi i tyre ka zgjatur rreth 2 vite. Por këta janë pa organizim, nuk kanë as firma, nuk janë as ligjorë. Ai shesh ka një fuqi shumë të veçantë ose të ngre ose të baltos. Nëse t’i shkon kundër atij sheshi baltosesh”, tha Xhemalaj, teksa shtoi se duan që të rrëzojnë sistemin dhe të shpallin qeverinë teknike.
Protestën e 28 nëntorit Xhemalaj e cilësoi si një nga betejat më të mëdha, por jo ajo finale.
“Për ne është një nga betejat më të mëdha. Nuk mund të themi që është beteja finale. Është një nga betejat më të mëdha, pasi të gjithë shqiptarët do të mblidhen në sheshin Skënderbej. Ka një tematikë të caktuar, ka një simbolikë të caktuar dhe ne do përpiqemi me të gjitha forcat tona që nesër ne të arrijmë të rrëzojmë qeverinë Rama. Ajo normalisht nuk është vetëm në dorën tonë. Patjetër ne do shikojmë numrat e njerëzve janë në sheshte e të gjitha dhe do të vazhdojmë betejën patjetër dhe më 29 dhe më 30 dhe më 31. Ne do të jemi aty deri në dorëheqjen e kryeministrit Rama”, tha Xhemalaj.
Teksa u shpreh se në shesh ka nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, Xhemalaj thotë se pjesëmarrësit aty janë të zhgënjyer nga partitë politike.
“Aty ke shumë rryma, ke shumë ideologji, ke marksistat, komunistat, ke dhe nacionalistat, ke myslimanët, ke dhe të krishterët, ke LGBT-në, ke dhe flamingot, nga të gjitha llojet dhe shtresat e shoqërisë shqiptare. Po të gjitha këto shtresa kanë vetëm një emërues të përbashkët që është rrëzimi i sistemit 80 vjeçar, largimi i qeverisë Rama dhe largimi i kreut të opozitës zotit Sali Berisha. Ky është emëruesi i përbashkët e të gjithë faktorëve që janë atë shesh. Aty ke demokratë të zhgënjyer, ke socialistë të zhgënjyer. Është normale që nga gjithë ky konglomerat do dalin parti, lëvizje, çdo gjë është më se e pranueshme. Po kur ne si shesh vëmë qëllim që në datën 28 deri në 28 nuk do flitet, pra kemi dhënë besën për këto gjëra, atëhere ne çdo gjë që del para datës 28 e cilësojmë si tradhti dhe si thikë mbas shpine ndaj asaj.
Ne e dimë shumë mirë që pushteti merret me votë. Pra në demokraci ndërrimet e pushteteve bëhen me votë dhe këtë ne e dimë. Protesta ushtron presionin e saj. Ndaj patjetër që mund të dalin lëvizje të reja, patjetër që mund të dalin parti të reja, se në fund të ditës në 9 maj dikush do vejë atje në zgjedhje dhe kjo është mëse e qartë”, shtoi Xhemalaj.
Ndërkohë sa i përket protestës së nesërme aktivisti tha se qëllimi i tyre është të vijojnë rezistencën e tyre në shesh dhe të rikthejnë atë protestë që bënin në fillim.
“Në sheshin Skënderbej ora 10:00 dhe aty do mblidhen të gjithë njerëzit. Ne kemi si qëllim që të vazhdojmë rezistencën tonë edhe pas orës 12 të natës, pra të qëndrojmë në atë shesh. Duhet t’u themi njerëzve që shpresa është akoma, që ne jemi në atë shesh, që ne luftojmë në atë shesh dhe patjetër na duhen dhe ndihma e çdokujt edhe e juaja”, tha Xhemalaj.
Në fund të intervistës ai komentoi edhe punonjësit e policisë që prej fillimit të protestave kanë qenë në shesh për sigurinë edhe rendin. Ai thotë se protestuesit do të kundërpërgjigjen nëse policia ndërhyn.
“Ne kemi parë që policia sidomos këto ditët e fundit të themi, ka qenë tepër agresive. Domethënë unë nuk mund ta quaj polici të shtetit, po ishte një polici si ata të Gestapos, dikur nazistët që rrinin, thyenin këmbët, thyenin kafka njerëzish në bulevard, vrisnin fëmijë. Uroj që nesër kjo gjë mos të ndodhi, sepse në rast se kjo gjë ndodh, gjithë ai popull që është atje në shesh do t’i kundërpërgjigjet kësaj policie kriminale. Nuk mund të përdorësh ato pushkët e gazit drejtpërdrejtë në turmë të çash kafkat njerëzve. Nuk mundesh ti të përdorësh gaz që është i palejueshëm. Nuk mundesh ti të përdorësh ato makinat e ujit me acid, jo me ujë. Në informatat tona brenda në grupin e protestuesve do të ketë 500 deri në 700 policë të veshur civilë dhe detyra e tyre është që të gjuajnë dhe të shkaktojnë tensione gjatë protestës në mënyrë që t’i japin atyre policëve të tjerë që janë atje me skafandra një shkak që të kundërpërgjigjen”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.