Nikos Kocias: mendimtar radikal me mendim personal
Ministri i ri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias, është një politikan i shumëanshëm. Ai konsiderohet si strateg brilant, i cili ka pikëpamjet e tij për politikën e jashtme. Veç kësaj ai e njeh mirë Gjermaninë.
Nikos Kocias përfaqëson një kapitull të rëndësishëm, por të njohur pak të miqësisë gjermano-greke: gjatë diktaturës ushtarake greke (1967-1974), aktivisti i majtë, si shumë grekë të tjerë u strehua në Gjermani. Kështu ai arriti t’i shpëtonte një urdhri arresti të gjykatës ushtarake të Athinës. Kociasi studioi në Gießen, luftoi në emigracion në Gjermani kundër juntës ushtarake në atdhe dhe ishte aktiv në organizatën e rinisë greke në Berlinin Perëndimor. Pas kësaj, Kociasi dha mësim në Universitetin e Marburgut, që prej vitit 2007 ai jep mësim në Universitetin e Pireut.
Kryediplomati i ri i Greqisë konsiderohet si njohës, por edhe si kritik i Gjermanisë. Titulli i librit të tij më të fundit: “Greqia, një koloni borxhesh. Perandoria evropiane dhe kryesia gjermane”. Vëmendje ka tërhequr edhe libri i tij i mëparshëm “Politika e jashtme e Greqisë në shekullin e 21-të”, në të cilin politikani i majtë shprehet për një afrim me Kinën, me Indinë dhe jo së fundi me Rusinë dhe Brazilin. ” Kocias është profesor për marrëdhënie ndërkombëtare me pikërëndesë shtetet e BRICS-it, interesi i tij ka të bëjë me këto vende. Por kjo nuk do të thotë se ai i vë pikëpyetje identitetit evropian të Greqisë”, thotë Jorgos Cogopoulos, bashkëpunëtor i Qendrës Kërkimore të Athinës, Eliamep.
Ish-autor rubrikash dhe mirëkuptues i Jaruzelskit
Karrierën e tij politike Nikos Kocias e nisi në Partinë Komuniste të Greqisë (KKE), një nga bastionet e fundit të komunistëve doktrinarë në Evropë. Ai ishte anëtar themelues i organizatës së rinisë KNE dhe i qendrës kërkimore me drejtim të majtë “Nikos Poulantzas”. KKE e themeluar në vitin 1918 vërtet që konsiderohet si partia më e vjetër e Greqisë, por ajo u legalizua vetëm pas vitit 1974, pas fundit të diktaturës ushtarake dhe e sheh veten si mbrojtëse të ideologjisë së majtë. Komunistët e KKE-së sot e kundërshtojnë me vendosmëri koalicionin me Syrizan, me atdheun e ri politik të Kocias dhe madje e tallin këtë koalicion nganjëherë si “rezervën e fundit të kapitalizmit”.
Për “konsolidimin” ideologjik të KKE ka ndikuar së fundi edhe Kociasi. Në vitet ’70 ai mori në Parti emrin Suslov, në analogji me kryeideologun e komunistëve sovjetikë. Në vitin 1981 Kociasi tërhoqi vëmendjen kur e miratoi puçin ushtarak të gjeneralit Vojcieh Jaruzelski në Poloni. Por vetëm pak vite më vonë pasoi prishja e papritur me shokët e besimit: në vitin 1989, shumica e komunistëve të KKE vendosën të bëjnë një koalicion unikal me konservatorët, për ta nxjerrë para gjyqit kryeministrin e atëhershëm, Andreas Papandreu, për shkak të akuzave të rënda për korrupsion. Në shenjë proteste për këtë aleancë me forcat borgjeze, Kocias dhe anëtarë të tjerë e braktisën partinë dhe themeluan një grupim të ri të majtë.
Analist dhe strateg
Prej vitit 1993 Kocias punon në Ministrinë e Jashtme në Athinë – midis të tjerave ai ka qenë këshilltar i ministrit të Jashtëm dhe shefit të socialistëve, Jorgos Papandreu. Në këtë pozicion, sipas gazetës “To Vima”, Kocias ishte një nga mbështetësit e marrëveshjes së Helsinkit të vitit 2002, e cila rregulloi statusin e kandidatit në BE të Turqisë dhe hapi rrugën për anëtarësimin e Qipros në BE.
Kryediplomati i ri grek ka hartuar gjithsej 24 libra dhe studime shkencore. Ai konsiderohet mendimtar brilant, i cili megjithatë ndjek mendimet e tij në politikën e jashtme. Kontaktet me Moskën ai dëshiron t’i ushqejë: të mërkurën (11.02.2015) ministri i Jashtëm Kocias është mysafir i homologut të tij Sergej Lavrov. Edhe kryeministri Aleksis Cipras ka marrë së fundi një ftesë për në Moskë.