Nis sot fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, vendi do të votojë për herë të tretë brenda 18 muajsh
Kosova hyn sot zyrtarisht në fushatë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, procesi i tretë zgjedhor që vendi zhvillon brenda një viti e gjysmë, pas krizës politike të krijuar nga dështimi i Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri. Subjektet kryesore politike kanë paralajmëruar për sot aktivitetet hapëse të fushatës në disa qytete të Kosovës, ndërsa gara pritet të dominohet nga përplasja mes Kurtit, Hamzës dhe Abdixhikut dhe Osmanit.
LVV do ta hapë fushatën sot me një tubim në Palestrën Sportive në Ferizaj në orën 19:30, ku Kurti synon të kërkojë edhe një mandat tjetër në krye të qeverisë. Ndërkohë, PDK do të zhvillojë aktivitetin hapës në qendër të Ferizajt në orën 20:00, me Hamzën si kandidat për kryeministër. Lidhja Demokratike e Kosovës do ta nisë zyrtarisht fushatën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë në orën 18:00.
LDK hyn në zgjedhje me Vjosa Osmani si kandidate për presidente dhe Lumir Abdixhikun për kryeministër. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta çelë fushatën në Gjakovë në orën 19:45, me Ardian Gjinin në garë për kryeministër, pas tërheqjes së Ramush Haradinaj nga drejtimi i partisë. Sipas kalendarit zgjedhor, fushata do të zgjasë deri më 6 qershor, vetëm një ditë para votimit.
21 subjekete në garë
KQZ ka miratuar edhe dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit dhe broshurës për zgjedhjet. Fletëvotimi përmban 21 subjektet politike të renditura sipas tërheqjes së numrave rendorë dhe do të përdoret për votimin në përfaqësi diplomatike më 6 qershor dhe në vendvotime në Kosovë më 7 qershor. Në frymën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Republikën e Kosovës, përveç gjuhës shqipe dhe serbe, në fletëvotimet e disa komunave do të përdoren edhe gjuhët e komuniteteve tjera.
Kështu, në Komunën e Prizrenit, fletëvotimi do të përmbajë udhëzime në gjuhën turke dhe boshnjake, në Komunën e Mamushës në gjuhën turke, në Komunën e Obiliqit në gjuhën rome; ndërsa në Komunën e Dragashit në gjuhën boshnjake. Sipas KQZ janë 21 parti politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe tri koalicione, të përbëra nga 9 parti politike.
Zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh, pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025. Analistët kanë paralajmëruar gjithashtu se kriza ngadalëson reformat kyç dhe krijon kosto të vazhdueshme financiare për buxhetin e shtetit. Naim Jakajt tha pak kohë më parë se pasoja e parë është paralizimi i procesit legjislativ. Në mungesë të një Kuvendi funksional, nuk miratohen ligje të reja dhe ngadalësohen reformat kyç, përfshirë ato që lidhen me sundimin e ligjit dhe integrimin evropian.
Ai nënvizoi se mungesa e një Qeverie me mandat të plotë reflektohet drejtpërdrejt edhe në planin ndërkombëtar. Sipas tij, kjo mund të shkaktojë vonesa në procese të rëndësishme, si aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës apo përmbushja e obligimeve në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian. Zgjedhjet e reja do t’i kushtojnë shtetit gjithashtu edhe me barrë financiare, pasi besohet se nevojiten rreth 10 milionë euro për mbajtjen e tyre.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.