Nis zbatimi i amnistisë penale, qindra të burgosur lënë qelitë në të gjithë vendin
Ka nisur këtë të mërkurë, 15 korrik, zbatimi i ligjit për amnistinë penale, nga i cili përfitojnë gjithsej 1,335 persona të dënuar.
Sipas të dhënave, 466 të burgosur do të lirohen nga vuajtja e dënimit, mes tyre 11 gra dhe 1 i mitur, ndërsa 869 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Në këtë kategori përfshihen 8 gra dhe 2 të mitur.
Zbatimi i amnistisë penale pritet të sjellë uljen e ngarkesës në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe të krijojë kushte më të mira për trajtimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar.Në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, nga zbatimi i ligjit përfitojnë 210 persona me ulje dënimi, ndërsa 104 të dënuar janë liruar.
Sipas ligjit, përfitues janë burrat e dënuar me vendim të formës së prerë deri në tre vite burgim, si dhe ata që u kanë mbetur deri në tre vite për të vuajtur nga dënime më të gjata. Për gratë, kufiri është deri në katër vite burgim ose deri në katër vite të mbetura nga dënimi. Amnistia përfshin gjithashtu gratë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë nën moshën 18 vjeç.
Nga përfitimi përjashtohen personat e hetuar nga SPAK dhe çështjet që shqyrtohen nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Aktualisht, sistemi penitenciar shqiptar ka një kapacitet prej 5,292 vendesh dhe strehon 4,769 persona. Autoritetet vlerësojnë se zbatimi i amnistisë do të ulë nivelin e zënies në burgje, duke krijuar kushte më të mira për trajtimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.