ITALI – Rihapen hetimet për vrasjen e Pier Paolo Pasolinit, 51 vjet pas krimit
Romë, 2 nëntor 2026 (ATSH) – Prokuroria e Romës ka nisur një hetim të ri për vrasjen e shkrimtarit dhe regjisorit të njohur italian Pier Paolo Pasolini, pikërisht në 51-vjetorin e vdekjes së tij. Dosja e re hetimore i është besuar prokurores Silvia Santucci, pas një kërkese të paraqitur nga avokati Stefano Maccioni.
Pasolini u vra natën mes 1 dhe 2 nëntorit 1975, në Ostia, pranë Romës. Rrethanat e vrasjes së tij kanë mbetur për dekada një nga çështjet më të debatueshme të historisë italiane të pasluftës.
Sipas avokatit Maccioni, kërkesa për hetime të reja, e paraqitur në nëntor 2025 dhe plotësuar në maj 2026, mbështetet në elemente të reja të mbledhura nga mbrojtja. Ai ka shprehur kënaqësinë për vendimin e Prokurorisë dhe shpresën se hetimet do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në deklaratën e tij, avokati u bëri thirrje personave që mund të kenë dijeni për rrethanat e vrasjes, por që deri më tani kanë heshtur, të dalin dhe të dëshmojnë.
Për vrasjen u dënua Giuseppe “Pino” Pelosi, i cili ishte 17 vjeç në kohën e ngjarjes. Vendimi gjyqësor i formës së prerë konfirmoi përgjegjësinë e tij, ndërsa hipotezat për përfshirjen e personave të tjerë kanë vijuar të ushqejnë debate dhe kërkesa për hetime të mëtejshme.
Kërkesa të mëparshme për rihapjen e hetimeve, të paraqitura në vitet 2016 dhe 2023, ishin rrëzuar nga autoritetet. Hapja e dosjes së re synon të shqyrtojë elementet e paraqitura së fundmi dhe të hedhë më shumë dritë mbi një vrasje që vazhdon të ngjallë pikëpyetje edhe pas më shumë se gjysmë shekulli.
Pasolini, një prej figurave më të rëndësishme të kulturës italiane të shekullit XX, ishte shkrimtar, poet, regjisor dhe intelektual i njohur për veprën e tij artistike dhe qëndrimet kritike ndaj shoqërisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.