🌤️
Tiranë 27°C · Kryesisht kthjellët 30 Shtator 2026
S&P 500 7,693 ▲0.29%
DOW 51,396 ▲0.09%
NASDAQ 26,916 ▲0.44%
NAFTA 91.16 ▲1.99%
ARI 4,225 ▲1.07%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1344 EUR/GBP 0.8575 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 92.0324 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5195 EUR/TRY 55.6079 EUR/JPY 178.54 EUR/CAD 1.6089 EUR/USD 1.1344 EUR/GBP 0.8575 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 92.0324 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5195 EUR/TRY 55.6079 EUR/JPY 178.54 EUR/CAD 1.6089
₿ CRYPTO
BTC $85,360 ▲ +1.26% ETH $2,728 ▼ -0.22% XRP $1.5394 ▼ -0.42% SOL $122.4800 ▲ +1.08%
S&P 500 7,693 ▲0.29 % DOW 51,396 ▲0.09 % NASDAQ 26,916 ▲0.44 % NAFTA 91.16 ▲1.99 % ARI 4,225 ▲1.07 % S&P 500 7,693 ▲0.29 % DOW 51,396 ▲0.09 % NASDAQ 26,916 ▲0.44 % NAFTA 91.16 ▲1.99 % ARI 4,225 ▲1.07 %
EUR/USD 1.1344 EUR/GBP 0.8575 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 92.0324 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5195 EUR/TRY 55.6079 EUR/JPY 178.54 EUR/CAD 1.6089 EUR/USD 1.1344 EUR/GBP 0.8575 EUR/CHF 0.9462 EUR/ALL 92.0324 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5195 EUR/TRY 55.6079 EUR/JPY 178.54 EUR/CAD 1.6089
30 Sht 2026
Breaking
Opinion

Një hap drejt vendosjes së normalitetit juridik

Nga Ylli Manjani

Ndryshimet në procedurën penale që u prezantuan sot janë, pa dyshim, një hap i mirë drejt vendosjes së një normaliteti juridik, por edhe kulturor, në sistemin e drejtësisë penale.

Insistoj te fjala kulturë juridike, sepse në emër të reformës dhe të tezës populiste të “pandëshkueshmërisë” justifikohen sot e gjithë ditën interpretime të padëgjuara më parë, e pothuajse askund në botën demokratike, të disa koncepteve bazike të procesit penal.

Arresti me burg. Mënyra e marrjes së provave. Përdorimi i të dhënave digjitale dhe private si provë. Kontrollet dhe sekuestrimet abuzive, të orientuara sipas personit dhe jo sipas nevojës konkrete të hetimit. Madje edhe deklarimet e marra gjatë hetimit, që tentohen të marrin peshën e provës në gjykim.

Të gjitha këto janë pjesë e një kulture abuzive në raport me ligjin, e cila, nga përsëritja në praktikë, rrezikon të konsiderohet tashmë si normalitet.

Ky është ndoshta problemi më i madh. Sepse abuzimi i përsëritur nuk bëhet normalitet vetëm pse është përsëritur shumë herë.

Ndryshimet ligjore të propozuara i prekin disa prej këtyre problemeve. Duhet të trajtohen edhe më mirë? Padyshim. Duhet të jenë më të qarta, më të plota dhe më të mbrojtura nga interpretimet abuzive? Pa diskutim.

Por kjo nuk e ndryshon faktin se kemi përpara një hap të mirë.

Dhe, mbi të gjitha, një sinjal të rëndësishëm, se ajo që është kthyer në praktikë nuk është domosdoshmërisht ajo që duhet të jetë ligjërisht e pranueshme.

Por ky hap nuk mjafton.

Duhen ende ndryshime të tjera, aq sa ndoshta justifikojnë një kod të ri të procedurës penale, i cili të mos jetë thjesht një riparim i kodit ekzistues, por një rishikim i filozofisë së procesit penal.

Bashkë me të duhet edhe një Kod i ri Penal.

Një kod që të shuajë abuzimet me përkufizimet e veprave penale dhe të reduktojë kriminalizimin e tepruar të shoqërisë.

Sepse kemi ardhur në një pikë ku duhet thënë qartë se jo çdo shkelje e ligjit është vepër penale.

Duhet të ndahet qartë ajo që përbën shkelje të ligjit dhe që duhet të ndëshkohet administrativisht, nga ajo që përbën një cenim aq serioz të rendit juridik sa duhet të jetë objekt i së drejtës penale.

Penalizimi i çdo sjelljeje të paligjshme nuk e bën shoqërinë më të drejtë. Përkundrazi, e bën të drejtën penale një instrument të tepruar të kontrollit të saj.

Ka ende shumë, shumë gjëra të tjera për t’u rregulluar. Unë jam për një Kushtetutë të re. Për një
Republikë pa gjykata speciale.

Por le të themi se, të paktën, po thyhet një mit.

Miti se ligjet janë të paprekshme.

Madje kemi arritur në absurdin juridik që Parlamenti të shihet sikur nuk lejohet të prekë as ligjet që ka bërë vetë.

Ligji nuk është monument.

Ligji është instrument.

Ai ndryshon kur shoqëria ndryshon, kur praktika tregon se ka dështuar, kur Gjykata Kushtetuese evidenton probleme, kur standardet europiane kërkojnë korrigjime dhe, mbi të gjitha, kur vetë shteti kupton se një rregullim juridik nuk po prodhon drejtësi.

Prandaj, ndryshimi i procedurës penale nuk duhet parë si sulm ndaj reformës në drejtësi.

Duhet parë si një përpjekje për ta bërë reformën më juridike.

Reforma në drejtësi nuk mund të matet vetëm me numrin e të arrestuarve, të hetuarve apo të dënuarve.

Ajo duhet të matet edhe me mënyrën se si shteti i trajton ata që heton.

Drejtësia nuk është vetëm ndëshkimi i fajtorit. Është edhe garantimi që askush të mos ndëshkohet pa respektuar ligjin, provën dhe procesin e rregullt.

Ky është normaliteti juridik për të cilin kemi nevojë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.