Një Kryeministër nën presion dhe një diasporë që s’duhet përdorur!

Të presësh me pompozitet një kryeministër që ndodhet në një nga momentet më të vështira politike të qeverisjes së tij, pikërisht kur në Shqipëri flitet çdo ditë për korrupsion, skandale dhe kur qytetarët protestojnë prej 105 ditësh rresht, është ndoshta shërbimi më i keq që mund t’i bëhet diasporës shqiptare ne pergjithesi, dhe asaj te Michigan-it ne vecanti.
Nje mori pyetjesh vijnë ndërmend, dhe ja dy prej tyre:
1-Pse pikërisht tani kur qytetarët në Shqipëri kërkojnë llogari, përgjegjësi dhe ndryshim të sistemit aktual, zgjedhor dhe politik?
2-Çfarë mund të zgjidhë në diasporë një kryeministër që nuk po arrin të bindë as atë pjesë të popullit që ka mbetur në Shqipëri?
Shqiptarët e Michiganit nuk kanë nevojë për një miting të importuar nga Tirana. Ata kanë nevojë për një shtet shqiptar që funksionon; për shërbime konsullore dinjitoze; për institucione që respektojnë investimet dhe pronën; për një ekonomi ku ia vlen të investosh; dhe, mbi të gjitha, për një Shqipëri ku diaspora të ketë një arsye për t’u kthyer.
Duket sikur qëllimi është një sallë e mbushur, disa qindra duartrokitës, fotografi të bukura dhe një kronikë televizive që nesër do t’i serviret publikut në Tiranë si “mbështetja madhështore e diasporës”.
Kjo pritje e vendos komunitetin shqiptar të Michiganit në një situatë klasike lu nuk ka të fituar, veç humbës.
Nëse Kryeministri pritet me pompozitet, krijohet përshtypja se komuniteti shqiptaro-amerikan po i jep mbështetje politike një qeverie që përballet me akuza të rënda dhe pakënaqësi qytetare.
Nëse vizita prodhon protesta, përplasje dhe ndarje mes shqiptarëve, përsëri humbet komuniteti.
Në të dyja rastet, faturën e paguan diaspora, sidomos kjo e Michigan-it, ndër më të hershmet dhe më konservatoret në SHBA.
Kjo ardhje i kalon caqet e një debati mes socialistësh dhe demokratësh. Është çështje e reputacionit tonë si komunitet në Amerikë.
Shqiptarët e Michiganit kanë punuar për dekada për të ndërtuar emër dhe respekt. Kemi sipërmarrës, profesionistë, akademikë dhe breza të rinj shqiptaro-amerikanësh që duan të jenë pjesë serioze e jetës ekonomike, qytetare dhe politike amerikane.
Komunitetet e suksesshme të diasporës nuk e matin fuqinë e tyre me numrin e njerëzve që mbledhin për të duartrokitur politikanët e vendit të origjinës. Ato organizohen rreth interesave të komunitetit të tyre: arsimit, biznesit, përfaqësimit politik, kulturës dhe fuqizimit të brezit të ri.
Diaspora është dhe duhet të jetë më e madhe se Rama, Berisha, PS-ja apo PD-ja.
Qeveritë vijnë dhe ikin por komuniteti mbetet.
Prandaj nuk duhet ta vendosim komunitetin shqiptar të Michiganit në shërbim të nevojave politike të momentit të një Kryeministri.
Të respektosh institucionin e Kryeministrit të Shqipërisë është një gjë. Të bëhesh pjesë e propagandës së Kryeministrit është krejt tjetër.
Sepse nëse fiton vetëm imazhi politik i Kryeministrit, ndërsa diaspora merr mbi vete përçarjen dhe koston e reputacionit, atëherë përgjigjja është e qartë:
Nuk është politika shqiptare në shërbim të diasporës. Është diaspora që po vihet në shërbim të politikës së Tiranës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.