Një mikro-analizë e kursit të shkëmbimit valutor

Bilanci i pagesave që publikohet periodikisht nga Banka e Shqipërisë jep një tablo makro të valutave që hyjnë dhe dalin në rrugë zyrtare nga vendi. Kështu që ai bilanc nuk mund të shpjegojë dot saktë luhatjet e shkëmbimit valutor. Për t’i shpjeguar ato, duhet një analizë në nivel mikro.
Qysh nga krijimi i monedhës Euro, ajo u bë valuta përcaktuese në tregun shqiptar, duke zëvendësuar markat, liretat, dhramitë, etj. Luhatjet e Euros ka dy dekada që përcaktojnë kursin e valutave të tjera në qarkullim këtu (dollarit amerikan, frangave zviceriane, stërlinave britanike etj.).
Deri në fund të vitit 2008, kursi i Euros ishte 120 me lekun (shihni grafikun e mëposhtëm). Por super-kriza botërore ekonomike e atëhërshme i pakësoi ndjeshëm dërgesat valutore të emigrantëve, sidomos të atyre nga Italia dhe Greqia, ku jetonin e punonin shumica dërrmuese e emigrantëve shqiptarë (dërgesat e emigrantëve kanë përqindjen më të lartë të shkëmbimit në lekë, sepse plotësojnë nevojat e shpenzimeve të familjarëve të këtushëm).
Edhe pse Shqipëria “eksportonte” atëherë sasi të mëdha kanabisi, të ardhurat valutore përqëndroheshin kryesisht në Lazarat, dhe vetëm një pjesë e vogël e valutës shkëmbehej në lekë. Pra në total, kishte më pak valutë në treg për t’u shkëmbyer me lekë. Për rrjedhojë, Euro u ngjit në kursin 140 me lekun brenda dy vjetësh…
Deri në fund të vitit 2015, Euro mbeti afër kursit 140 me lekun. Por në vitin 2016 filloi të tatëpjetën. Ishte viti kur Guardia di Financa italiane ngriti alarmin se kanabizimi kishte dalë përtej Lazaratit, duke pushtuar gjithë vendin. Në katër vjetët që vijuan, valuta që vinte nga “eksporti” e kanabisit vazhdoi të paguante prodhuesit dhe puntorët e tij, që e shkëmbenin valutën në lekë. Dhe kursi i Euros zbriti në 120 me lekun…
Pas pandemisë së koronavirusit, në skenën valutore shqiptare u shfaqën dy faktorë të rinj. Valuta që po sillnin turistët e shumtë që u dyndën në Shqipëri dhe valuta që kishin akumuluar trafikantët shqiptarë të drogave të rënda në tregjet e huaja. Të parët i shkëmbenin me lekë ato qindra Euro që kishin secili nëpër xhepa, ndërsa të dytët filluan të blinin pasuri të paluajtshme (edhe pse jo me lekë, diçka shkëmbehej). Si rrjedhojë, deri në fund të vitit 2023, kursi i Euros zbriti në 101 me lekun…
Sot një Euro shkëmbehet me 95 lekë, duke rënë 6 lekë në 30 muaj. Dhe në këta 30 muaj kanë bashkëvepruar disa faktorë.
Trysni ulëse kanë ushtruar shkëmbimi i kursimeve nga valuta në lekë (për shkak të forcimit të këtij të fundit), rritja e dërgesave valutore të emigrantëve, rritja e turizmit, blerja e apartamenteve nga emigrantë dhe shtetas të huaj për qëllime investimi, blerja e pasurive të paluajtshme nga trafikantët për qëllime “parkimi” të shumave monetare, dhe hapja e njësive prodhuese nga investitorë të huaj (investime të drejtpërdrejta). Ndërsa trysni të kundërt kanë ushtruar blerjet e fuqishme të valutës në treg nga Banka e Shqipërisë, që e kanë frenuar në një farë mase rënien e Euros në mënyrë më dramatike.





Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.