Rajoni

Një refugjat do të mbajë pishtarin olimpik në Athinë

Duke dashur që përmes një iniciative simbolike të sensibilizojë opinionin botëror, pas një vizite në kampin e refugjatëve në Eleona të Athinës, kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka deklaruar se flaka për Lojërat Olimpike 2016 në Rio de Zhaneiro do të kalojë nëpër një kamp refugjatësh në Athinë dhe mbajtësi i pishtarit të saj do të jetë pikërisht një prej tyre.

“Ne përpiqemi me anë të sportit që ndoshta të shërojme disa plagë nga të cilat këta njerëz vuajnë si dhe për t’u dhënë atyre një grimë të vogël shprese e besimi në jetën e tyre të vështirë”, tha Bach.

Pishtari olimpik do të fillojë rrugëtimin e tij ditën kur ai ishte ndezur në Olimpin e lashtë në Peloponezin perëndimor, në 21 prill, para se të niset për në Brazil 12 ditë më vonë. Ai do të mbërrijë në stadiumin Marakana në Rio më 3 maj, pas një rrugëtimi prej 100 ditësh.

I shoqëruar nga kryebashkiaku i Athinës dhe ai i ishullit Lesbos, Presidenti i Komitetit Olimpik ka thënë se atletët të cilët janë refugjatë dhe nuk përfaqësojnë asnjë vend do të lejohen të konkurrojnë në Rio nën flamurin olimpik: “Ata nuk kanë atdhe, nuk kanë asnjë flamur të marshojnë pas tij dhe asnjë himn që të dëgjojnë”.

Greqia u bë portë kryesore për më shumë se një milion refugjatë të cilët filluan të arrijnë në Evropë vitin e kaluar, shumica të ikur nga lufta dhe persekutimi në disa vende si Siria, Iraku dhe Afganistani.

Ndërkohë, ka më shumë se dy muaj që një iniciativë tjetër në rrjetet sociale e nënshkruar nga më shumë se 300.000 vetë propozon banorët e ishujve grekë si Lesbos, Hios dhe Samos, nga të cilët kanë hyrë shumica e refugjatëve që më pas kanë shkuar në Europë, të marrin çmimin Nobel të Paqes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button