Norma e hipotekës 30-vjeçare në SHBA prek nivelin më të lartë në gati tre vjet: 7.49%
SHBA — Norma mesatare e hipotekës 30-vjeçare me normë fikse në Shtetet e Bashkuara u rrit me 19 pikë bazë, në 7.49% në javën që përfundoi më 2 tetor, duke prekur nivelin më të lartë që nga nëntori i vitit 2023, siç njofton Reuters.
Të dhënat, të publikuara të mërkurën nga Shoqata e Bankierëve të Hipotekave (MBA), vijnë vetëm katër javë para zgjedhjeve afatmesme të 3 nëntorit, që do të vendosin nëse republikanët e presidentit Donald Trump do të ruajnë kontrollin mbi Kongresin.
Rritja e normave të hipotekave ndjek atë të fitimeve të bonove 10-vjeçare të Thesarit amerikan, të cilat të hënën kapërcyen 5.3% — niveli më i lartë në 24 vjet — mes shqetësimeve për inflacionin nga rritja e çmimeve të naftës dhe rritja e fortë ekonomike, shkruan Reuters.
Kostoja e jetesës mbetet çështja kryesore për votuesit amerikanë, sipas një sondazhi Reuters/Ipsos të përfunduar të hënën, ndërsa miratimi i presidentit Trump ka rënë në nivelin më të ulët rekord prej 32%.
Normat e huamarrjes për blerjen e shtëpive janë rritur me rreth 1.4 pikë përqindjeje që kur nisën sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit. Inflacioni arriti në 3.4% në gusht, shumë mbi objektivin prej 2% të Rezervës Federale, ndërsa politikëbërësit e Fed kanë sinjalizuar një rritje tjetër të normës para fundit të vitit, megjithëse tregjet parashikojnë se nuk do të lëvizin në takimin e fundtetorit.
Kërkesat për kredi hipotekore ranë me 4.2% javën e kaluar, ndërsa rifinancimet shënuan rënie të ndjeshme. Sipas zv/kryeekonomistit të MBA-së, Joel Kan, shumë pak pronarë shtëpish kanë nxitje për të rifinancuar me këto norma, ndërsa rritja e kostove të huamarrjes ka detyruar shumë blerës potencialë të tërhiqen nga tregu i blerjeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.