Nuk deklaroi dënimin, pezullohet punonjësja e policisë
Një nënkomisare policie është pezulluar nga detyra pasi ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit.
SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në përfundim të një hetimi, kanë pezulluar nga detyra punonjësen e policisë, N/komisare M.D., me detyrë Specialiste Informacioni dhe për marrjen e kallëzimeve në Seksionin e Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë pasi ka qenë më parë e dënuar me 18 muaj burg për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Këtë dënim ajo nuk e ka bërë të ditur gjatë plotësimit të formularit të dekriminalizimit për punonjësit e shtetit, duke shënuar në formular si e padënuar.
Prokuroria ka kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, caktimin e masës së sigurimit personal për punonjësen e Policisë.
Gjykata në bazë të këtyre të dhënave ka vendosur caktimin e masave shtrënguese “Mosushtrim i detyrës” dhe “Detyrim paraqitjeje pranë Policisë Gjyqësore”.
Kjo masë është marrë nën akuzën për veprën penale të “Falsifikimin e vulave, stampave dhe formularëve zyrtarë”.