Odhise Dhima thyen heshtjen nga paraburgimi: I kërkoj falje vëllait tim Pirro, e kam vënë në pozitë të vështirë
Në një deklaratë për televizionin grek MEGA, 58-vjeçari mohon t'i ketë dhënë qëllimisht substanca anabolike djalit të tij të mitur dhe thotë se shumica e preparateve të sekuestruara janë të ligjshme
Odhise Dhima, i arrestuar në Greqi për skandalin e dopingut në peshëngritje, ka thyer heshtjen nga paraburgimi. Siç njofton Shqiptarja.com, në një deklaratë për televizionin grek MEGA, 58-vjeçari i ka kërkuar falje vëllait të tij, ish-peshëngritësit të famshëm Pirro Dhima, dhe familjes së tij. “I kërkoj falje vëllait tim Pirro Dhima dhe familjes sime, që i kam vendosur në një pozitë të vështirë për shkak të sjelljes sime të pamenduar. I kërkoj falje të gjithë qytetarëve që e kanë dashur Pirro Dhimën”, ka deklaruar ai.
Odhise Dhima mohon se i ka dhënë qëllimisht substanca anabolike djalit të tij të mitur. Sipas tij, nga një vendim gjykate del se është përdorur një suplement ushqimor i ligjshëm, në paketimin e të cilit nuk përmendej substanca anabolike, dhe Këshilli i Lartë për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Sportive (ASEAD), i përbërë nga gjyqtarë të rregullt, i ka atribuuar vetëm pakujdesi. “Kam dy vjet që nuk merrem më me stërvitjen e sportistëve. Ndihem i shkatërruar nga dezinformimi kundër meje”, ka thënë ai.
Për preparatet e gjetura në banesën e tij, Dhima pretendon se janë të ligjshme, përveç disa prej tyre, për të cilat thotë se do të provojë se i përdor për arsye mjekësore.
Ish-trajneri i ekipit kombëtar grek të peshëngritjes akuzohet për furnizim, ruajtje dhe trafikim të paligjshëm të substancave anabolike dhe, sipas hetimeve të autoriteteve greke, dyshohet se ka furnizuar sportistë të rinj me substanca të ndaluara. Gjatë kontrolleve në banesën e tij dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 njësi preparatesh farmaceutike dhe substancash dopingu, kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë dhe 15 mijë euro.
Odhise Dhimës i është caktuar paraburgimi deri më 12 dhjetor. Ai ka kërkuar kohë për të përgatitur mbrojtjen dhe pritet të paraqitet para hetuesit të hënën, më 16 nëntor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.