OKB paralajmëron për një epokë të re të fenomeneve ekstreme të motit: Toka po akumulon nxehtësi me ritme të përshpejtu
Toka po grumbullon nxehtësi me ritme gjithnjë e më të shpejta, duke rritur rrezikun e fenomeneve ekstreme të motit, si valët e të nxehtit, thatësirat dhe ciklonet tropikale.
Paralajmërimi vjen nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), në raportin e saj mbi gjendjen globale të klimës, të publikuar në nisje të samitit të 31-të të OKB-së për klimën (COP31), që po zhvillohet në Antalia të Turqisë.
Sipas raportit, çekuilibri mes energjisë që Toka merr nga Dielli dhe asaj që lëshon në hapësirë ka arritur nivelin më të lartë që prej fillimit të matjeve. Kjo do të thotë se planeti po mban gjithnjë e më shumë nxehtësi, ndërsa pasojat e ngrohjes globale po bëhen më të dukshme.
Temperatura mesatare e sipërfaqes së Tokës gjatë periudhës janar-shtator 2026 ishte rreth 1.47 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial. Viti 2026 pritet të jetë një nga katër vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, ndërsa periudha 2023-2026 përbën katërvjeçarin më të nxehtë që prej nisjes së matjeve.
Ngrohja po prek veçanërisht oqeanet, të cilat thithin rreth 90% të nxehtësisë së tepërt të bllokuar nga gazrat serrë. Temperatura e sipërfaqes së deteve ka shënuar rekorde mujore, ndërsa niveli i detit ka arritur pikën më të lartë të regjistruar. Sipas WMO-së, viti 2026 pritet të jetë viti i dhjetë radhazi me rekordin më të lartë të përmbajtjes së nxehtësisë në oqeane.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, deklaroi se njerëzimi ka hyrë në një epokë të re të ekstremeve klimatike.
“Një fenomen El Niño jashtëzakonisht i fuqishëm po përplaset me një planet që tashmë është mbinxehur nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu. Rekordet klimatike vazhdojnë të thyhen. Kostot njerëzore po rriten. Dhe ata që kanë më pak përgjegjësi për këtë situatë po vuajnë të parët dhe më rëndë”, u shpreh Guterres.
Raporti evidenton gjithashtu rritjen e përqendrimit të dioksidit të karbonit në atmosferë. Në vitin 1992, kur u nënshkrua Konventa e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, niveli ishte 356.42 pjesë për milion, ndërsa në vitin 2025 arriti në 426.8 pjesë për milion. Që prej vitit 1750, në fillim të Revolucionit Industrial, përqendrimi është rritur me 53%.
Një tjetër shqetësim lidhet me shkrirjen e akujve dhe humbjen e masës së akullnajave. Në vitin 2026, akulli detar në Antarktidë regjistroi maksimumin e tretë më të ulët vjetor, ndërsa në Arktik u shënua niveli më i ulët ose i dyti më i ulët. Ndërkohë, akullnajat humbën më shumë se 400 gigatonë masë. Për të katërtin vit radhazi, të 19 rajonet me akullnaja në botë pësuan humbje.
Shkencëtari Bill McGuire, profesor emeritus në University College London, paralajmëroi se ritmi i ngrohjes po përshpejtohet. Sipas tij, kufiri prej 1.5 gradësh Celsius mund të tejkalohet në mënyrë të përhershme që në vitin 2028, ndërsa kufiri prej 2 gradësh mund të kalohet në fund të viteve 2030.
Ai vlerësoi se parashikimet e mëparshme, sipas të cilave ngrohja globale do të arrinte 2.6-2.8 gradë Celsius deri në fund të këtij shekulli, mund të rezultojnë tepër optimiste.
Raporti i WMO-së vjen në një moment kur liderët dhe diplomatët nga e gjithë bota janë mbledhur në Antalia për COP31, ku pritet të diskutojnë masat për përballimin e krizës klimatike dhe kufizimin e ngrohjes globale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.