Përplasje në familjen Kardashian? Rob së shpejti me një dokumentar

Rob Kardashian po shqyrton mundësinë e realizimit të një dokumentari personal, përmes të cilit synon të ndajë me publikun më shumë detaje nga jeta e tij private dhe sfidat që ka kaluar ndër vite.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, 39-vjeçari ka nisur të kontaktojë persona nga industria e argëtimit dhe madje ka zhvilluar një takim me një studio televizive, për të diskutuar mundësinë e realizimit të projektit.
Megjithatë, duket se planet e tij kanë shkaktuar pakënaqësi në familje. Burime pranë Kardashianëve pretendojnë se Kris Jenner nuk e ka pritur aspak mirë vendimin e të birit për të ndërmarrë një projekt të tillë pa përfshirjen e saj.
Sipas një burimi të cituar nga The U.S. Sun, Kris kishte përgatitur një plan për rikthimin gradual të Robit në ekran, duke përfshirë disa dalje në programet televizive të familjes, si dhe mundësi të reja biznesi.
“Kur Kris mësoi për këtë plan, reagimi i saj ishte shumë i ashpër”, pretendon burimi.
Në fakt, mamaja e familjes Kardashian thuhet se kishte menduar edhe për takime me këshilltarë biznesi, me qëllim ringritjen e markave të të birit dhe rikthimin e tij në botën e biznesit.
Ndërkohë, Rob duket se dëshiron të marrë vetë kontrollin e mënyrës se si historia e tij do të prezantohet për publikun.
Rob është tërhequr kryesisht nga jeta publike prej vitesh, duke qëndruar larg kamerave që pas periudhës së suksesit të emisionit familjar “Keeping Up With the Kardashians”. Daljet e tij të rralla kanë rikthyer së fundmi interesin e fansave, veçanërisht pas shfaqjes në festën e ditëlindjes së 46-të të motrës së tij, Kim Kardashian.
Edhe ish-partnerja e tij, Blac Chyna, komentoi pamjen e Robit gjatë një transmetimi në platformën Kick, duke i thënë se fotografitë e tij kishin marrë shumë vëmendje në internet.
Rob, nga ana tjetër, u tregua modest për komplimentet, duke pranuar se vetë nuk ishte aq i bindur për mënyrën se si dukej në fotografi.
Dyshja, e cila ka një vajzë së bashku, Dream, nëntë vjeçe, duket se ka përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet pas ndarjes së tyre dhe konflikteve të mëparshme.
Aktualisht, të dy thuhet se kanë arritur të krijojnë një raport më të qetë, duke vendosur në plan të parë mirëqenien dhe rritjen e vajzës së tyre.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse Rob Kardashian do të realizojë dokumentarin e shumëpërfolur dhe nëse ky projekt do të shënojë rikthimin e tij përfundimtar në ekran.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.