OKB – Trump: Nuk do ta lejoj kurrë Iranin të ketë armë bërthamore
NJU JORK, 22 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump mbrojti sot përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, luftën e tij kundër Iranit, duke deklaruar se Teherani nuk është më fuqia dominuese që dikur ishte në Lindjen e Mesme.
“Ata ishin ngacmuesit e Lindjes së Mesme, por nuk janë më të tillë”, tha presidenti Trump, ndërsa në Nju Jork nisi debati i përvitshëm i nivelit të lartë të OKB-së, ku marrin pjesë liderë nga e gjithë bota.
Presidenti Trump deklaroi se gjatë gjithë karrierës së tij politike kishte qëndruar i vendosur në synimin për të parandaluar Iranin që të siguronte armë bërthamore.
“Unë nuk do ta lejoj kurrë Iranin të ketë një armë bërthamore”, tha ai.
Përfaqësuesit iranianë në sallën e Asamblesë dëgjuan fjalimin e Trumpit pa shfaqur ndonjë reagim të dukshëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën së bashku luftën kundër Iranit më 28 shkurt, duke nxitur kundërpërgjigjen e Teheranit me sulme në të gjithë rajonin.
Trump e paraqiti fushatën ushtarake si një operacion që i ka shkaktuar dëme shkatërruese Iranit.
“Si rezultat i ‘Operacionit Epic Fury-, të 159 anijet e flotës së tyre ushtarake tani ndodhen në fund të detit”, deklaroi ai.
“Po kështu, forcat e tyre ajrore janë zhdukur. Radarët e tyre janë shkatërruar. Pajisjet kundërajrore janë asgjësuar. Kapaciteti i tyre për prodhimin e raketave dhe dronëve është pothuajse zhdukur. Ekonomia e tyre është shkatërruar”, shtoi Trump.
Më pas, ai ngriti në mënyrë dramatike mundësinë e asgjësimit të Republikës Islamike të Iranit, nëse Teherani nuk arrin një marrëveshje me Uashingtonin.
“Kam një vendim të madh për të marrë”, u tha ai të pranishmëve, duke shpjeguar se një nga mundësitë ishte arritja e një marrëveshjeje me Iranin.
“Ose ta asgjësoj Republikën Islamike dhe ta bëj këtë shpejt, pa u dhënë atyre kurrë mundësinë të vrasin dhe shkatërrojnë përsëri njerëz dhe vende? A t’i çoj në ferr, pa asnjë mundësi mbijetese dhe pa asnjë shpresë për madhështi në të ardhmen apo për brezat e ardhshëm?”, vazhdoi presidenti Trump.
Megjithatë, ai deklaroi se besonte që Teherani do të pranonte përfundimisht një marrëveshje, me gjasë pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.